Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, i nderuar me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2008 për kontributin në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e Ahtisaarit e dha Fondacioni që ai krijoi për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve të dhunshme. Që prej vitit 2021, ish-presidenti finlandez vuante nga sëmundja e Alzheimerit.

Ahtisaari ndihmoi në arritjen e marrëveshjeve të paqes dhe tërheqjen e trupave serbë nga Kosova në fund të viteve 1990.

Ai është vlerësuar për përpjekjet për pavarësinë e Namibisë në vitet 1980 dhe autonominë për provincën Aceh në Indonezi në 2005. Ai u përfshi edhe në procesin e paqes në Irlandën e Veriut në fund të viteve 1990, duke u ngarkuar me monitorimin e procesit të çarmatimit të grupit terrorist IRA.

Komiteti Norvegjez i Nobelit të Paqes zgjodhi Ahtisaarin në tetor 2008, “për përpjekjet e tij të rëndësishme, në disa kontinente dhe për më shumë se tre dekada, për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare”.

Ahtisaari ishte president i vendit nordik për një mandat gjashtëvjeçar, nga vitit 1994 deri në 2000.