I qartë ka qenë mesazhi i pesë diplomatëve Perëndimorë këtë të shtunë, 21 tetor, pas takimit me Kurtin, ku janë shprehur se nuk do të ketë integrim të Kosovës në BE pa Asociacionin.
Diplomatët Perëndimorë kanë zhvilluar një takim sot me kryeministrin Kurti në Kosovë ku mësohet se i kanë kërkuar përgjegjësi të themelojë sa më parë asociacionin e komunave me
“Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizim, nëse Kosova dëshiron të bëjë progres në BE. Duhet ta përsëris që Asociacioni të formohet pa vonesa. Pa këtë, s’do të ketë progres të Kosovës në integrimin evropian. E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet së shpejti. Tani do ta vazhdojmë misionin në Beograd, ku do ta takojmë presidentin Vuçiç”- tha Lajçak mesditën e sotme për gazetarët pas takimit me kryeministrin kosovar.
Ata thanë se kanë ardhur në Prishtinë me një plan të cilin e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti. Lajçak nuk dha detaje të tjera për planin të cilin do të vijojë ta diskutojnë më vonë edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç gjatë takimit në Beograd. Nga Prishtina gazetari Isufi informon se Kurtit i kanë prezantuar një draft për themelimin e asociaconit.
“Erdhëm me një plan, e diskutuam me Kurtin dhe do ta diskutojmë me Vuçiçin. Nuk do të japë detaje”, ka thënë Lajçak.
Aludohet se është plani franko gjerman dhe u kërkohet të dy liderëve të bëjnë hapa konkretë rreth këtij plani konkret.
Në konferencë për mediat, për herë të parë nga Prishtina që pas akuzave të ashpra nga Kurti Lajçak u shpreh se ndonëse sulmi i Banjskës është precedent dhe po hetohet nga BE e NATO nuk zhbën kompromiset e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë. I pyetur nga gazetarët se në ç’pikë janë hetimet për sulmin në Banjskë, ku u vra në krye të detyrës Afrim Bunjaku, Lajçak u shpreh se po hetohet nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO dhe se do të jepet një përgjigje përfundimtare së shpejti.
“Çdo vonesë është e papranueshme dhe presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbahen obligimeve të dialogut. Sulmi nuk ndryshon faktin se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më herët këtë vit. BE-ja dhe NATO janë duke hetuar faktet. Do të informoheni për rezultatet.”-tha Lajçak.
Pesë diplomatët e Perëndimit nisën sot, më 21 tetor vizitat në Kosovë dhe Serbi, me një qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve. Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.
Me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel. Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, u arrit kompromis për aneksin e zbatimit të saj.