Pas nisjes së seancës, avokatja e Malltezit dhe Bektashit kërkoi dy orë kohë për t’u njohur me aktet e gjykatës.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, u vu në pranga, me akuzën për 2 vepra penale, ndërsa për ndërtuesin Fatmir Bektashi u vendos masa detyrim paraqitje për shkak të moshës.

Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-Klubit Sportiv Partizani.

Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.

Nga sekuestrimet e pasqyrave financiare të shoqërisë ka rezultuar se Jamarbër Malltezi nuk ka kryer asnjë investim, prandaj në mënyrë të ligjshme nuk mund të ketë përfituar asnjë të ardhur nga kjo shoqëri, pavarësisht se në dorë të SPAK janë fatura për pagesa kesh dhe dividend që shkojnë në emër të tij.

SPAK argumenton se shoqëria “Homeplan shpk” është krijuar vetëm për të qarkulluar para. Vlera e privatizimit është paguar nga kompania e Bektashit, ndërkohë që roli i Jamarbër Malltezit, ka qenë ndikimi tek institucionet për të privatizuar pronën e më pas për të marrë leje ndërtimi. Për këtë ai dyshohet se familjet përfituese e kanë shpërblyer me 3 -5% të pasurive të tyre të paluajtshme.

Ndërkohë, për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata e Posaçme e ka ndaluar atë të dalë jashtë vendit. Por, në kushtet kur vendimi nuk është ekzekutuar, nuk është caktuar ende një datë për seancë gjyqësore ndaj tij, raporton gazetarja Anila Hoxha.

Sot, GJKKO njoftoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit. Atij i bllokohen edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.

Mëngjesin e kësaj të hëne oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për 25 pasuri të Malltezit. Fillimisht ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.

Nga 16 apartamente, 7 prej tyre ndodhen në rrugën “Mustafa Matohoti”, e cila njihet edhe si rrugica e ish-kryeministrit, pasi këtu jeton Berisha në banesën në emër të vajzës së tij, ku sipas vendimit të GJKKO-së edhe ky apartament do të kalojë në sekuestro. Gjithashtu, nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit.