Eshtë shtyrë për ditën e nesërme seanca gjyqësore e thirrur nga GJKKO, ku ish kryeministri Sali Berisha duhej të merrej në pyetje lidhur me aferën e privatizmit të ish-kompleksit Partizani, për të cilën SPAK e akuzon për korrupsion pasiv. Ish kryeministri refuzoi të paraqitet në gjykatë, por me prokurë përfaqësuese çoi dy avokatët e tij.
Avokatët e Berishës kërkuan kohë që të njihen me aktet. Por veç kësaj Berisha paditi gjyqtaren Irena Gjoka dhe kërkoi përjashtimin e saj me pretendimin se ka shkelur kushtetutën me masa sigurie pa pyetur Kuvendin.
Kemi bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’. Gjykimi është ndërprerë për të gjykuar këtë kërkesë. Po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtim.’- tha avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Vetë Berisha, doli në konferencë për median ku mbrojti veten dhe dhëndrin ndërsa sulmoi gjyqtaren që firmosi masën e sigurisë dhe e thirri sot në Gjykatë.
Seanca e cila nisi në orën 14:00 u mbyll shpejt pasi avokatët kërkuan kohë për tu njohur me dokumentet, prandaj GJKKO shtyu seancën për në orën 18:00.
Ndërkohë Berisha në konferencë për median nga selia e Rithemelimit tha se gjyqtarja kishte shkelur ligjin me vendosjen e masës së sigurisë.
“Vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga Parlamenti është përdhosje e ligjeve dhe e Kushtetutës. Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë që i lejon vetes këtë vendim unë nuk mund tia lejoj vetes të shkelë Kushtetutën. Që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në Parlament Sali Berisha e voton” tha Berisha.
Akuzave të SPAK për favorizim, Berisha i përgjigjet duke deklaruar se reformat e ndërmarra ishin për të mirën e pronarëve dhe një ndër ta ishte dhëndri, të cilin nuk mund ta përjashtonte
” Çfarë të bëja, të bëja një ligj të tillë që ju që jeni bashkëpronar me dhëndrin tim nuk do të përfitoni. Nuk kisha alternativë këtu. Ose të bëja ligjet e reformave, ose të mos i bëja fare ose të përjashtoja këta. Ka logjikë njerëzore? Askush në botë nuk mund ta thotë. Kjo është e gjitha.”- tha Berisha.
Gjykata e Posaçme kishte caktuar ditën e sotme për ta marrë në pyetje, si person në hetim. SPAK e akuzon se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, por dhe kryer veprime konkrete për kontrolle administrative me qëllim final privatizimin e ish kompleksit ‘Partizani’ për të ndërtuar 19 kulla ku fitues i drejtëpërdrejtë është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Rreth orës 11:00 nga selia e Rithemelimit, Berisha paralajmëroi se nuk do të shkonte në GJKKO për t’u marrë në pyetje me preteksin se nuk shkel Kushtetutën.
“Po konsultohem të ndërmarr hapa ligjorë me juristë. Në çdo kohë unë jam gati të paraqitem për tu pyetur e për çdo gjë. E vetmja gjë që nuk mund të pranoj është të shkel Kushtetutën e vendit. Jam autor i ligjit që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Hajde të ndryshojmë Kushtetutën por jo ta menderosim atë” tha Berisha.
E pranoi se e gjitha kjo procedurë është formalitet por se duhet zbatuar dhe se akuzat e ngritura ndaj tij dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi janë të pavërteta.
“Piramida e trillimit e mashtrimit e falsifikimit do të shembet. Nuk pengoj asnjë proces gjyqësor hetimor e të tjerë. Ky është një formalitet por një formalitet që buron nga Kushteta e vendit dhe nuk e shkel’ tha më tej Berisha.
Më 21 tetor 2023, kur u mësuan masat e sigurisë, ish-kryeministri Sali Berisha refuzoi të firmosë procesverbalin e policisë për njohjen me masën e sigurisë.
Akuzat e SPAK për Sali Berishën
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga: Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
– Nga ana e shtetasit Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi
-Nga ana e shtetasit Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
– Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.