Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar një sipërfaqe toke prej 13.750 m2 në fshatin Gjilekë të Bashkisë Himarë, një pjesë e së cilës i përket ish-deputetit socialist, Artan Gaçi, bashkëshort i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Përmes një njoftimi institucioni i akuzës bëri të ditur se nga hetimet është provuar se kjo sipërfaqe toke është regjistruar pranë ASHK Vlorë me dokumente të falsifikuara.

Sipas përllogaritjeve, vlera e pronës arrin në 2 milion e 750 mijë euro. Për këtë rast, gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin E.M. me detyrën e topografit të Bashkisë Himarë dhe “Arrest në shtëpi” për motrën e tij, shtetasen L.M.

Sipas prokurorisë, nga hetimi rezultoi e provuar se këta shtetas kanë kryer veprat penale “Falsifikim i dokumenteve, vulave, stampave dhe formularëve”, si dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Lideri demokrat Sali Berisha, reagoi për rastin duke thënë se Artan Gaçi ka marrë qindra e mijëra tokë publike dhuratë nga qeveria.

“Si mund të krahasosh ti këtë rast. Ti krahason Artan Gaçen që ka marrë investitorë strategjik qindra mijëra metra katrorë tokë publike dhuratë nga ministrja strategjike, me Begej dhe Malltezin që mori tokën e vet pas 50 vitesh të sekuestruar nga regjimi komunist. A mund të ketë krahasim këtu? Nuk mund të ketë.”

Por ky pretendim u hodh poshtë nga ish-ministrja Xhaçka, përmes një reagimi në rrjetet sociale.

“Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese të kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë”.

Kjo sipërfaqe rezulton të jetë një pjesë e tokës me të cilën Artan Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.