Deputetja britanike, Alicia Kearns, kujton se si sot një muaj më parë Milan Radoiçiç ka pranuar fajësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ndërkaq ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Kearns në një postim në X shkruan se po ashtu se gjatë kësaj kohe nuk është kërkuar asnjë llogari për sulmin e Serbisë në Banjskë. 

Kearns ka takuar gjithashtu edhe familjen e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator nga ky grup i armatosur duke shtuar se “ata meritojnë drejtësi”.

“Tashmë ka një muaj që Radoiçiç ka pranuar fajësinë për sulmin paraushtarak në Kosovë me armë të ofruara nga Beogradi. Megjithatë ai mbetet i lirë në Serbi. Pa asnjë llogari për rolin e Beogradit. Unë i kam parë armët dhe kam takuar familjen e Afrim Bunjakut, ata meritojnë drejtësi…”, shkroi Kearns.

Më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër. Në kundërsulm, Policia e Kosovës vrau tre terroristë dhe arrestoi disa tjerë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marr Milan Radoiçiç që në atë kohë ishte nënkryetar i Listës serbe dhe person i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.