Një grup i zyrtarëve të lartë të SPAK bashkë me kreun e këtij institucioni, Altin Dumani ndodhen këtë javë në Uashington, DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një vizitë studimore.Pjesë e delegacionit është edhe Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, prokurorët që po hetojnë dosjen e Sali Berishës dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani i cili pasoi me ndërtimin e 19 kullave dhe sipas SPAK i dha një fitim prej 5.4 milionë euro dhëndrit të ish kryeministrit.   

Përmes një njoftimi të postuar sot (31 tetor) në facebook shoqëruar edhe me një fotogaleri ambasada amerikane informon se të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP).

Prokurorët e SPAK diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës, informoi më tej ambasada amerikane përmes një postimi në facebook.

Pjesë e delegacionit janë dhe prokurorët Dorina Bejko, Klodiran Braho, Vladimir Mara.

Ish kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të paraqitet në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë ndërsa është përpjekur të mbrojë veten dhe dhëndrin në deklaratat e tij publike në të cilat shpesh ka akuzuar dhe shantazhuar prokurorët e SPAK duke i akuzuar se janë vegla në duart e kryeministrit Edi Rama.

 Vizita do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).