Kuvendi i Malit të Zi votoi mëngjesin e kësaj të marte qeverinë e Kryeministrit Millojko Spajiç pas seance që zgjati gjatë gjithë natës.

Qeveria e re mori mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 vende që janë gjithsej. 19 vota ishin kundër dhe 1 abstenim.

Përveç partisë “Evropa Tani” e Spajiçit, ai mori edhe mbështetjen e partisë pro-ruse, Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi si dhe disa parti të vogla mes tyre edhe ato shqiptare.

Nik Gjeloshaj do jetë zëvendëskryeministër dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Xheka do të jetë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet dhe Marash Dukaj ministër i Administratës Publike.

Ky kabinet i ri i jep fund qeverisë teknike të Dritan Abazoviçit, qeveria e së cilit u rrëzua nga një mocion mosbesimi në Gusht të vitit 2022. Në fjalën e tij para deputetëve, Kryeministri Spajiç tha se synimi ishte “anëtarësimi i plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale.

Qeveria e tij arriti të siguronte votat vetëm pas mbështetjes së aleancës pro-serbe dhe pro-ruse të udhëhequr nga Andrija Mandiç që në këmbim u zgjodh kryetar i Parlamentit. Ndryshe nga Kryeministri që orientohet nga Perëndimi, kryetari i kuvendit gjatë fushatës bëri thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, kritikoi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe foli kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e vendit nga Serbia.

Mandiç është gjithashtu kundër Pavarësisë së Kosovës. Analistët thonë se vendosja e tij në krye të Kuvendit do të pengojë ambiciet e qeverisë për afrim me BE-në.

Mbështetësit e opozitës protestuan jashtë parlamentit gjatë votimit në kuvend.