Mbledhja e sekretariatit të etikës është shoqëruar me debate të shumta pasditen e së martës teksa deputetët e opozitës kanë kërkuar që mbledhja të jetë e hapur për mediat.
Deputeti Flamur Noka në një moment përpara se të bojkotonte mbledhje ka shkulur mikrofonat e kryetares Klotilda Bushka që e ka detyruar këtë të fundit të ndërpresë përkohësisht mbledhjen.
Në përfundim sekretariati i etikës ka vendosur të përjashtojë 6 nga 7 deputetët e PD të kërkuar nga mazhoranca, përveç deputetit Lefter Gështenja.
Konkretisht u përjashtuan me 10 ditë nga seancat deputetët Flamur Noka, Edi Paloka, Gazment Bardhi, Albana Vokshi dhe Bledion Nallbati dhe me 3 ditë deputeti Saimir Korreshi.
I pranishëm në ambientet e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha tha se largimi i mediave nga mbledhja është një përpjekje për të fshehur të vërtetën. Sipas tij, parlamenti nuk do të ketë paqe deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve
“Pra e shiheni si bëhen mbledhjet këtu, thërret deputetët dhe i përjashton pa asnjë lloj baze ligjore. Sekretariati është për t’i dëgjuar dhe ajo dëgjon vetëm njërin, largohet. E kam marrë unë thotë vendimin. Se jam unë ajo që marr vendimin pa pyetur as ligj dhe as rregullore. Mediat i kanë larguar, e kanë shndërruar këtu në një shpellë krimi. Ky nuk është më një parlament. Shikoni si merren vendimet. Po mbrohet nga 5 roje. Në vend që të dëgjojë deputetët, të dëgjojë arsyetimin e tyre, siç e kërkon edhe rregulli, e kam marrë vendimin thotë. Ky është turp. Paqe nuk ka më në këtë parlament deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve. Ju konstatoni vetë se si e kanë shndërruar këto parlamentin, si kurrë ndonjëherë në historinë e tij. Përjashton deputetë pa u dëgjuar”, tha Berisha.