Kursi i këmbimit të Euros me Lekun po pëson përsëri rënie. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 105.36 lekë.
Kursi i këmbimit të Euros ka rënë për të gjashtë ditë radhazi ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 17 gusht.
Kursi i këmbimit Euro-Lek preku nivelet minimale historike në muajin korrik, duke u afruar shumë afër kufirit të 100 lekëve. Në muajin gusht, kursi pësoi një rritje të shpejtë që e çoi deri sipër kufirit të 110 lekëve.
Më pas, gjatë muajit shtator kursi zbriti deri afër nivelit të 106 lekëve, ndërsa deri në javën e fundit të tetorit kursi ishte përgjithësisht i qëndrueshëm pranë nivelit të 106 lekëve. Por, ditët e fundit, kursi po shënon një tendencë të re rënëse dhe tashmë po i drejtohet përsëri kufirit të 105 lekëve.
Sipas agjentëve të tregut valutor, kursi i këmbimit ka zbritur në një ekuilibër ndjeshëm më të ulët këtë vit. Nga njëra anë, kjo i detyrohet prurjeve të larta valutore hyrëse, që kanë rritur ofertën e valutës në treg. Sezoni turistik këtë vit ka prekur shifra rekord dhe është zgjatur më tej në kohë. Pritshmëritë e operatorëve turistikë janë që hovi i turizmit të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, oferta e Lekut këtë vit ka qenë e shtrënguar, për shkak të normave më të larta të interesit dhe sidomos për shkak të politikës fiskale shtrënguese dhe deficitit të lartë buxhetor.
Një situatë e tillë e ka zbritur në mënyrë të qëndrueshme kursin Euro-Lek në nivelet më të larta historike. Në teori, rritja e djeshme e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë mund të ketë një efekt të mëtejshëm në drejtim të forcimit të lekut në kursin e këmbimit.
Një nga faktorët e pakët që mund të sjellin një forcim të përkohshëm të Lekut mund të jetë shpenzimi i përqendruar i deficitit buxhetor në muajin e fundit të vitit.
Një fenomen i tillë u vërejt edhe vitin e kaluar, kur kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi një rritje të ndjeshme, për shkak të pagesave të mëdha buxhetore që u përqendruan në ditët e fundit të dhjetorit. Megjithatë, ky efekt pritet të jetë kalimtar.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të vazhdojë rritjen e normës bazë deri pranë nivelit ekuilibër, që vlerësohet afër kufirit të 4.5%. Mbështetur në projektbuxhetin 2024, edhe politika fiskale pritet të ruajë një tendencë konsoliduese, element që favorizon gjithashtu një Lek të fortë në kursin e këmbimit.
./REVISTA MONITOR/