Komisioni i Ekonomisë nisi në orën 10:00 mbledhjen online duke vijuar diskutimin përmes platformës Zoom. Sorina Kote: Ajo që po na shqetëson sot është zhvillimi i mbledhjeve online. Unë aktualisht ndodhem në sallën e Komisionit të Ekonomisë bashkë me zonjën Koliqi dhe zotin Gjini. Mirë do të ishte të ishim në sallën e komisionit.
Sikur ka shpërthyer luftë. Nuk është etike dhe as e hijshme që pr/buxheti të diskutohet online, kur pjesa më e madhe e kolegëve janë brenda ambienteve të kuvendit.
Eduard Shalsi: Çfarë bëtë ju dje. Nuk ishit ju por kolegët e tu që bllokuat derën. Do të bllokoni derën apo komisione normale. Jeni gati të lini ‘nongratat’ të mos ju marrë peng. Ky është problem që kini.
Axhenda e ngjeshur e Kuvendit
Dita e sotme nis me një axhendë të ngjeshur në komisione. Në rendin e ditës janë parashikuar mbledhja e 5 komisioneve parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë është projekt-buxheti i vitit 2024.
Pas paralajmërimit të grupit të Rithemelimit, se do vijonin me skenarin e kaosit për të mos lejuar punime normale në Kuvend derisa të plotësohen 3 kërkesat e tyre. PS vendosi të ndërmarrë planin B atë të mbledhjeve online.
Ndërkohë Gazment Bardhi sërish do t’i thërrasë të tijtë në një mbledhje në orën 10 e 30 në kryesinë e kuvendit.
Për shkak të përplasjeve, janë në total 8 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.
Të premten, e 3 nentorit u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi.
Përjashtimeve u ka shpëtuar Sali Berisha, të cilin Gjykata e ka thirrur sot për t’u paraqitur për shkak të dosjes së ish kompleksit “Partizani”.
Grupi i Rithemelimit, që mbështet Sali Berishën dhe mbështetësit e Gazment Bardhit janë shprehur të vendosur se do të vijojnë kaosin derisa të përmbushen kërkesat e tyre mos-përfshirjen e PS në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkë-kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.