Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nis hapjen e 10% të kutive të votimit në të gjitha bashkitë, ku me 14 maj u votua për pushtetin vendor. Më datë 23 tetor KQZ hodhi shortin dhe përzgjodhi rastësisht qendrat e votimit që do i nënshtrohen procesit të këqyrjes paszgjedhore për zgjedhjet për organet e vetëqeverisjes vendore si dhe për zgjedhjet e datës 23 shtator në Kukës.
Hapja e këtyre kutive të votimit synon kontrollin nëse gjatë procesit të votimit ka pasur parregullsi, pra për të parë nëse vota është numëruar dhe lexuar ashtu siç qytetarët e kanë shprehur, apo komisionerët kanë abuzuar duke e deformuar vullnetin e tyre.
Rinumërimi i votave bëhet nga specialistë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por partitë mund të monitorojnë nga afër të gjithë procesin që do të jetë i hapur edhe për publikun.
Ky është një ndryshim i viteve të fundit në Kodin Zgjedhor, përmes të cilit KQZ detyrohet që pas zgjedhjeve të rinumërojë 10% të votave, për të kontrolluar për abuzime.