Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka bërë kërkesë urgjente për interpelancë me kryeministrin Edi Rama.
Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli ka mësuar se interpelanca ka në fokus sqarimin lidhur me marrëveshjen e firmosur me kryeministren italiane, ku Shqipëria bëhet vend pritës për emigrantët.
Sipas kërkesës për interpelancë “marrëveshja për emigracionin Shqipëri-Itali është njoftuar nga kryeministrja italiane, kurse nga pala shqiptare nuk ka asnjë transparencë deri më tani”.
Kërkesa për interpelancë është dorëzuar nga nënkryetari i PD-së së drejtuar nga Basha, Kreshnik Çollaku.
Kujtojmë se Shqipëria dhe Italia, pasditen e sotme kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunimin mes dy vendeve për pritjen e refugjatëve.
Kreu i qeverisë shqiptare është pritur në Itali nga Kryeministrja italiane Meloni. Kjo e fundit, në një konferencë shtypi, deklaroi se në Shëngjin do të ngrihet një qendër për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë. Kjo qendër parashikohet që të jetë gati në Pranverën e ardhshme.