Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë (stadiumi Zimbru), për ndeshjen e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë iu nevojitet “Shqiponjave” për të nisur zyrtarisht fluturimin në fazën finale të “Gjermani 2024”.
Të parët në grup me 13 pikë, Shqipëria ka dominuar këto kualifikuese duke qenë skuadra që ka shënuar më shumë gola dhe ka pësuar më pak, andaj të besuarit e Sylvinhos nuk janë aspak surprizë në këtë turne.
Ndeshja në fushë sot nis 0-0, por statistikat në futboll janë të vlefshme. Kuqezinjtë kanë 98 pozicione distancë nga Moldavia, që gjendet e 157-ta në renditjen e FIFA-s, teksa tanët mbajnë pozitën e 59-të.
Nëse shohim sesa vlen ekipi ynë, edhe pse pa Brojën dhe Kumbullën për shkak të problemeve fizike, diferenca është 66.7 milionë euro, në favor të tanëve. Në grumbullimin e fundit që ka bërë Sylvinho, ekipi ynë vlen 81.7 milionë euro dhe lojtarët më të shtrenjtë janë Asllani me 12 milionë euro, Gjimshiti me 10 milionë euro si edhe Uzuni me 9 milionë euro.
Nga ana tjetër, totali i ekipit moldav kap vlerën e 15.04 milionë euro, teksa lojtari kundërshtar më i vlefshëm është mbrojtsi Oleg Reabciuk me 5 milionë euro dhe që luan me Sparkatun e Moskës.
Shqipëria në këtë duel do ketë mbështetjen e më shumë se 1 mijë tifozëve, në një stadium me 10.500 ulëse. Sa i takon formacionit, Sylvinho nuk pritet të ndryshojë asgjë nga fitorja e fundit me Çekinë, përjashto rikthimin në qendër të Ismajit. Dyshuese mund të jetë forma e Asllanit, që ka pasur një problem fizik, megjithëse duket se e ka kaluar. Për t’u evidentuar edhe ndeshja e fundit mes dy skuadrave, po për Euro 2024 në grupin E, ku ekipi ynë fitoi 2-0 në “Air Albania” me golat e Asanit dhe Bajramit, për t’i shkaktuar humbjen e vetme moldavëve në këto kualifikuese. Moldavia nuk ka humbur për grupin E asnjë ndeshje në shtëpi, çka do bëjë që tanët të kërkojnë tri pikët.
Kombëtarja në këtë sfidë ka në dorë dy rezultate, ndërsa e kalon në fazën finale edhe një barazim, teksa edhe humbja e tanëve, shoqëruar me fitoren e Çekisë kundër Polonisë (sot 20:45), do bënte që ekipi ynë për herë të dytë të shkonte në fazën finale të Europianit, pas Francë 2016.
Në grupin E kualifikues, Shqipëria me 13 pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Çekia me 11-të, Polonia me 10-të, Moldavia me 9-të dhe Ishujt Faroe me vetëm një pikë. Në gjashtë ndeshje të luajtura, Shqipëria ka shënuar 11 gola dhe ka pësuar vetëm 3, më mirë se çdo ekip. Moldavia ka shënuar gjashtë dhe ka pësuar po gjashtë gola.
Kundër Moldavisë/ Të dyja skuadrat janë takuar gjashtë herë në fushë, me tanët që kanë fituar pesë duele dhe kanë barazuar një (në miqësore). Të pesta takimet e fituara nga kuqezinjtë janë në kuadër të kualifikueseve europiane, me të parën që daton më 29 marsin e 1995, 3-0.
Më pas, në ndeshjen e kthimit për po atë tur kualifikues, kuqezinjtë ia dilnin të fitonin 2-3 në transfertë (7 qershor 1995). Përballjet e radhës kundër Moldavisë datojnë në vitin 2019, me Shqipërinë që fitonte dy takimet e Euro 2024, 2-0 në Elbasan dhe 0-4 në transfertë.
Përballja e fundit mes dy skuadrave ishte disa muaj më parë në “Air Albania”, për ndeshjen e parë mes tyre në grupin E kualifikues të Euro 2024. Kuqezinjtë ia dolën të merrnin tri pikë falë fitoress 2-0 me gola të Asanit dhe Bajramit. Dueli i 17 qershorit ishte debutues për Sylvinhon në Tiranë, me trajnerin brazilian që mori tri pikë, kjo pas humbjes 1-0 në Poloni. Barazimi i vetëm me Moldavinë daton në 15 gushtin e 2012 në “Qemal Stafa” (ish-Air Albania), kjo në një miqësore 0-0.
Më 7 qershor 1995, në Chisinau të Moldavisë, kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Neptun Bajko, merrte fitoren e parë jashtë fushe në historinë e saj gjatë një edicion eliminator të vlefshëm për kualifikueset e Europianit 1996, që u zhvillua në Angli dhe në fund u fitua nga Gjermania.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Mitaj; Bare (Asllani), Ramadani, Bajrami; Seferi, Asani, Cikalleshi Trajner: Sylvinho