Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për koncesionin e sterilizimit për ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj. Atij nuk i lejohet të largohet nga territori i Shqipërisë dhe duhet të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore.

Mjeku Ilir Alimehmeti tha në emisionin Review në Euronews Albania se hetimi për sterilizimin është i vonuar, ndërkohë që denoncimi është bërë 4 vjet më parë dhe dëmi, nëse ka pasur korrupsion vazhdon.

Alimehmeti tregoi se qendra e sterilizimit ishte gati, e ndërtuar që në vitin 2012 përmes një kredie me vlerë 1,7 mln euro, por që nuk u vu asnjëherë në punë pasi Beqaj nuk e konsideroi të arsyeshme.

Kjo qendër sterilizimi është ndërtuar që në 2012, është gati, është marrë me kredi 1,7 mln euro dhe përmes një shkrese zyrtare nga drejtoresha e kohës në QSUT, Ogerta Manastirliu që ja drejtonte ministrit Beqaj i kërkon ta vëmë në punë. Kapaciteti ishte 63 mijë sterilizime në vit. Beqaj s’i përgjigjet se kishte këtë planin tjetër, makineritë ishin aty, në qese”, tregoi Alimehmeti.