Katër subjekte që kanë të instaluar impiante fotovoltaikë secili me kapacitet 2MW kanë dorëzuar ankimim pranë Entit Rregullator të Energjisë duke pretenduar se nga ana e Furnizuesit të Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group nuk është paguar energjia që është hedhur në rrjet. Bëhet fjalë për energji të prodhuar në periudhë korrik 2022-nëntor 2022.
“Vlerësojmë/paraqesim qëndrimin tonë se duke qenë se energjia e prodhuar nga këto centrale fotovoltaike përgjatë periudhës nga 28.07.2022 deri 08.11.2022 ka shkuar për nevojat e përmbushjes së detyrimit publik, duhet të njihet dhe t’i paguhet shoqërisë” thuhet në pretendimin e kompanive.
Enti Rregullator nga ana tjetër ka kërkuar qysh në fillim që subjektet që kanë impiantet të kishin një komunikim të drejtpërdrejtë me FTL-në për këtë problematikë që nga konstatimi paraprak sipas entit kishte munguar.
FTL më herët e një shkresë kishte sjellë në vëmendje të subjekteve mungesën e një kontrate me palët për periudhën në fjalë çka e bën të pamundur mbulimin e asaj periudhe.
“Shoqëria FTL sh.a. nëpërmjet shkresës me nr. 2834/4 prot., datë 11.10.2023 drejtuar shoqërisë ‘Tren Sun System’ sh.p.k., me shkresën nr. 2834/2 prot., datë 11.10.2023 drejtuar shoqërisë ‘Sun Beat System’ sh.p.k., me shkresën me nr. 2834/1 prot., datë 11.10.2023 drejtuar shoqërisë ‘Korça Phorovoltaic Park’ sh.p.k., me shkresën me nr. 2834/3 prot., date 11.10.2023 drejtuar shoqërisë ‘NTSP’ sh.p.k., ka parashtruar sa më poshtë vijon :për periudhën e kërkuar 28.07.2022 – 08.11.2022 shoqëria ‘FTL’ sh.a. nuk ka patur kontrate shitblerje të energjisë elektrike me shoqërinë… Kontrata ndërmjet shoqërisë… dhe ‘FTL’ sh.a…. për shitblerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga centrali fotovoltaik, është lidhur me datë 28.04.2023, dhe ka hyrë në fuqi me datë 02.05.2023, datë e cila korrespondon me fillimin e operimit/ livrimit të energjisë elektrike, siç përcaktuar në Aneksin e kontratës” parashtrohet në vendimin e ERE.
Në këtë pikë Enti duke parë që palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket pretendimeve ka vendosur që marrë përsipër zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
“Bordi i ERE vendosi pranimin për shqyrtim nga ERE të kërkesës së paraqitur nga shoqëritë “TREN SUN SYSTEM” sh.p.k., “SUN BEAT SYSTEM” sh.p.k., “NTSP” sh.p.k., “KORCA PHOROVOLTAIC PARK” sh.p.k., për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet shoqërive dhe shoqërisë “FTL”, duke filluar procedurën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në përputhje me “Rregulloren për trajtimin e ankesave të paraqitura nga klientët dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis të licencuarve, në sektorin e energjisë elektrike dhe të gazit natyror” miratuar me vendimin e bordit të ERE-s nr. 114, datë 08.7.2016” thuhet në vendimin e publikuar nga Enti.
REVISTA MONITOR/N.Maho/