Tentativa për të parakaluar bëri që dy fuoristrada u furkuan midis tyre dhe njëra u përmbys në një kanal. Ngjarja ndodhi në autostradën Lushnje-Fier në afërsi të Savrës. Kanali rreth tre metra thellë fatmirësisht nuk kishte ujë çka mund të rrezikonte seriozisht jetën e personave brenda.
Në këtë mjet udhëtonte shtetasi F.M me tre fëmijët e tij të mitur nga 5 deri 8 vjeç. Ndërsa drejtuesi i mjetit ka marrë lëndime të lehta në kokë, fëmijët kanë shpëtuar mrekullisht. Në automjetin tjetër që drejtohej nga një 30-vjeçar, udhëtonin bashkëshortja, nëna dhe motra e tij.
Fatmirësisht, as ata nuk janë lënduar pasi mjeti është mbrojtur nga barrierat anësore. Policia shkoi në vendngjarje për të sqaruar rrethanat.