Përdorimi pa kriter i antibiotikëve ka çuar në rritjen e rezistencës antimkrobike, duke bërë që OBSH ta fus këtë problematikë si një ndër 10 kërcënimet globale të shëndetit publik. Rreth 5 milionë njerëz në një vit kanë humbur jetën si pasojë e rezistencës ndaj antibiotikëve. Në disa raste sipas OBSH janë mjekët ata që japin antibiotik edhe kur nuk është e nevojshme.

Janë ekspertët e OBSH ata që japin alarmin se antibiotikët po keqpërdoren. Të dhënat e sondazhit së fundit të bërë prej tyre në 14 vende të Europës, tregojnë se 50 % e të anketuarve kanë përdorur antibiotik në 12 muajt e fundit. Në 67% të rasteve ato janë dhënë nga mjeku, për ftohje, grip, dhimbje fyti dhe kollë, raste këto që sipas ekspertëve nuk duhen trajtuar me antibiotik pasi nuk bëjnë efekt.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi ekspertët zbuluan se 1\3 e popullsisë në 14 vende të Rajonit Europian konsumon antibiotikë pa recetë mjekësore. Në disa vende, kjo shifër kalon mbi 40%. Nga ana tjetër, i njëjti sondazh i kryer në të gjithë BE-në në vitin 2022 zbuloi se vetëm 8% e të anketuarve kishin konsumuar antibiotikë pa recetë.

Edhe më alarmant bëhet fakti që qytetarët nuk kanë asnjë dijeni mbi riskun që ju sjell përdorimi pa kriter i antibiotikëve. Në këto kushte ekspertët e shëndetësisë botërore bëjnë me dije se zhvillimi dhe përhapja e superbaktereve po përshpejtohet nga keqpërdorimi i antimikrobikëve, duke i bërë infeksionet më të vështira për t’u trajtuar në mënyrë efektive. Realiteti alarmues është se, nëse nuk kryhet ndërhyrje e menjëhershme, vdekjet si pasojë e rezistencës antimikrobike prite të shkojnë deri në 10 milion në vit në 2050.