Leku e mbylli javën duke u forcuar më shumë në kursin e këmbimit me të gjitha valutat e huaja kryesore. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 102.43 lekë, duke humbur rreth 1.5 lekë në harkun e një jave në kursin e këmbimit me monedhën vendase. Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit Euro-Lek që prej datës 2 gusht.

Rënia e Euros ka tërhequr në rënie të gjitha valutat e tjera kryesore që kuotohen në tregun shqiptar. Dollari Amerikan zbriti në nivelin e 93.9 lekëve dhe në harkun e një jave ka humbur afërsisht 1.7 lekë në kursin e këmbimit. Edhe kursi i Dollarit Amerikan me Lekun ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 2 gusht.

Paundi Britanik u këmbye në vlerën e 117.97 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 25 korrik.

Prej një muaji, Leku ka nisur një cikël të ri dhe deri diku të papritur mbiçmimi në kursin e këmbimit.

Sipas burimeve nga tregu, rënia është shpejtuar në dy javët e fundit për shkak të një rritjeje të fortë të ofertës së Euros në tregun valutor. Disa prej kompanive që administrojnë hidrocentrale private kanë shitur sasi të mëdha të Euros gjatë kësaj periudhe. Kushtet e favorshme hidrike kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike gjatë vjeshtës, duke bërë që bilanci energjetik në këtë periudhë të jetë pozitiv.