Që nga mesi i tetorit, OBSH njoftoi se Kina veriore ka raportuar një rritje të sëmundjeve të ngjashme me gripin krahasuar me të njëjtën periudhë në tre vitet e mëparshme.
Ditët e fundit, mediat vendase, treguan për spitale të mbushura me prindër dhe fëmijë që presin të kontrollohen nga mjekët. OBSH-ja është përgjigjur duke i bërë një kërkesë zyrtare Kinës për informacion shtesë si dhe rezultate laboratorike nga shpërthimet e raportuara tek fëmijët.
Sipas Sky News komuniteteve kineze i është kërkuar të marrin masa parandaluese duke përfshirë vaksinimin, mbajtjen e maskave, mbajtjen e distancës nga njerëzit e sëmurë, qëndrimin në shtëpi kur janë të sëmurë dhe larjen e rregullt të duarve.
Autoritetet kineze konsiderojnë shkaktare heqjen e kufizimeve të COVID-19 dhe qarkullimit të patogjenëve të njohur, duke përfshirë virusin sincicial të frymëmarrjes (RSV), gripin dhe infeksionet e zakonshme bakteriale që prekin fëmijët.
Rritja e rasteve të sëmundjeve risjell në vëmendje edhe mungesën e transparencës që Kina bëri gjatë periudhës së COVID-19.