Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ndryshe nga vitet e tjera, bonusi për pensionistët do të shpërndahet më herët këtë fundvit.

Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, Rama tha se qeveria ka parashikuar një fond prej 250 milion eurosh për pensionistët në buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe se pavarësisht dëshirës për të bërë më tepër, ekziston një gropë e pambyllur e trashëguar nga qeveria e mëparshme, sikurse ajo e mospagimit të sigurimeve shoqërore.

“Në buxhetin e vitit të ardhshëm ne kemi vendosur 250 milionë euro të tjera, për pensionistët. Natyrisht që do të donim që kjo shumë të ishte edhe më e madhe, por ndërkohë kemi më shumë se sa asnjëherë më parë dhe asnjëherë nuk duhet harrua që e para, numri i pensionistëve krahasuar me gjithë të tjerët është shumë i lartë. E dyta, gropa e madhe e dekadave të tëra e krijuar nga mospagimi i sigurimeve shoqërore është praktikisht e vetmja gropë ende e pambyllur, ndër të gjithë gropat që ne trashëguam nga qeveria e mëparshme kur morëm detyrën dhe kjo sigurisht që e bën më të vështirë realizimin e ambicieve dhe dëshirës sonë për të pasur një rritje më të ndjeshme të pensioneve, por ama qoftë pagat, qoftë për pensionet pikërisht pse kemi krijuar më shumë mundësi përmes rritjes përmes rritjes dhe fuqizimit të ekonomisë, do të kemi 650 milionë euro të dedikuara në buxhetin e vitit 2024.

Edhe diçka të fundit që dua të them për këtë pjesë; shpesh herë njerëzit flasin dhe thonë që Partia Socialiste nuk është e majtë, duhet të bëjë më shumë për shtresat në nevojë etj. Por e gjitha kjo rrëzohet duke parë se çfarë përqindjeje zë në të gjithë buxhetin e shtetit mbrojtja sociale. Në gjithë buxhetin e vitit 2024, 33% e të gjithës shkon për kujdes social, që nga pensionistët për të cilët përveç rritjes së pensioneve, përmes ri indeksimit të vazhdueshëm të tyre, është i përcaktuar dhe bonusi i pensionistit. Bonus që do ta japim përsëri tani në prag të festave, por ndryshe nga vitet e tjera, pikërisht për shkak se kemi një situatë financiare më të mirë sesa çdo vit tjetër, do të fillojmë ta japim menjëherë, pra brenda disa ditësh do të fillojë shpërndarja e bonusit të pensionistëve për festat e Vitit të Ri. Ashtu siç u bë edhe vitin e kaluar dhe siç është bërë dhe vitet e kaluara, por jo më në fund të vitit, por më përpara“- tha Rama.