Në Ditën Botërore të luftës kundër HIV/AIDS-it, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu së bashku me mjekë të Spitalit Infektiv kanë bërë apel për rritjen e ndërgjegjësimit, informimin në kohë si dhe kryerjen e kontrolleve periodike si elementë të rëndësishëm për parandalimin e infektimit nga kjo sëmundje.

Në një videomesazh të publikuar në facebook e ministres persona të prekur nga ky virus japin mesazh ndërgjegjësues, nisur nga përvoja e tyre.

“Fillimisht nuk e pranoja dot, por më pas nisa të përshtatem dhe çdo muaj në klinikë ambulatore të infektivit vi dhe marr një terapi falas. Sot të gjithë moshatarëve të mi ju them në qoftë se keni HIV/AIDS të mos kenë frikë, as turp, por ta trajtojnë dhe shpëtojnë jetën”, – është apeli i një prej të prekurve, drejtuar të gjithë të rinjve.

Gjatë takimit me stafin mjekësor dhe studentë të mjekësisë, ministrja Koçiu theksoi se: “duhet të punojmë akoma më shumë në ndërgjegjësim për të ulur sa të mundemi edhe këto barrierat, edhe këto stigmatizimin që vjen për shkak të kësaj sëmundjeje”.

“Megjithëse është bërë punë edhe nuk jemi në situatat fillestare, por prapë ka nevojë që të flitet akoma më shumë edhe të kuptohet që mund të bashkëjetohet me një të sëmurë apo një të prekur nga HIV/AIDS. do duhet të bëjmë akoma më shumë kur vjen puna tek testimet, kur vjen puna tek mënyra se si shërbehet këtyre lloj pacientëve, po që në fund të ditës këtë punë do ta bëjmë të gjithë bashkë”, – deklaroi Koçiu.

Ministrja vizitoi edhe ambientet e Klinikës Ambulatore të HIV/AIDS-it në Spitalin Infektiv në QSUTN, ku të sëmurët ndiqen dhe marrin trajtim falas 100% nga shteti, së bashku me ekzaminimet e nevojshme.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, Shqipëria është një vend me incidencë të ulët të përhapjes së këtij infeksioni. Numri i rasteve të reja të diagnostikuar në vitin 2023 është 113. Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, më shumë meshkuj se femra  u diagnostikuan me HIV në vitin 2023, respektivisht 87 dhe 26.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë, diagnoza e hershme është  shumë e rëndësishme në ecurinë e infeksionit HIV dhe suksesin e mjekimit me Antiretrovirale (TAR). Edhe gjate vitit 2023, personat e diagnostikuar me HIV kanë patur akses të plotë gjatë gjithë vitit për kryerjen e vlerësimit imunologjik.

Në vendin tonë janë 15 qendra ku kryhet testi HIV, me një shpërndarje të mirë në të gjithë vendin. Testimi për HIV është i disponueshëm në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar (QKTV), Klinikën Ambulatore në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, Laboratorin e Mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, SUSM “Shefqet Ndroqi”, SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koco Gliozheni”, Spitalet Rajonale, laboratorët/klinika/spitale dhe në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP). Për dhuruesit e gjakut testimi për HIV dhe agjentë të tjerë infektiv kryhet pranë Qendrës Kombëtare të Trasfuzionit të gjakut.