Gjykata e Prishtinës ka lënë në burg Naim Murselin dhe dy të tjerët, të cilët akuzohen për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Murseli. Ata do të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen po vijojnë. Bashkëshorti i të ndjerës pranoi se ka paguar për kryerjen e krimit mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë, por nuk ka treguar arsyen që e bëri të ndërmerrte një akt të tillë.
Në bankën e të akuzuarve është edhe Granit Plava, i cili dëshmoi më herët për policinë se mori 15 mijë euro nga Naimi për t’i vrarë bashkëshorten, ndërsa pjesën tjetër do e merrte pas krimit. Personi tjetër i arrestuar dhe që doli para gjykatës është Kushtrim Kokalla, nipi i Naim Murselit, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në deklaratën e bërë nga gjykata, thuhet se Naim Murseli i ka dhënë armën Granti Pllavës dhe e kishte inskenuar grabitjen. Ai u ka dalë para makinës me të cilën po udhëtonte Naim Murseli me Liridonën dhe dy fëmijët. Bashkëshorti është larguar më fëmijët, ndërsa Granti Plava ka qëlluar Liridonën në këmbim të 30 mijë eurove.
Naim Murseli me avokatin mbrojtës të tij kanë mohuar cilësimet në dosjen e prokurorisë ndaj tij, për“vendin, kohën dhe mënyrën siç përshkruhet” në dyshimet ndaj tij. Gazeta Express ka raportuar se Murseli në seancë të parë ka thënë se “unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”.
Avokati i tij, Ahmet Ameti, është shprehur se Naim Murseli “nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”.
Pranë gjykatës ishin familjarë të Liridonës, por ata nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancë edhe pse kishin bërë kërkesë për këtë. Vëllai saj Leonard Ademaj, tha pas seancës se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të së motrës nga fshati Cermanji dhe rivarrosjen afër varrezave në fshatin e prindërve të saj, Rracaj.
“E kemi kërkuar zhvarrimin e saj, kemi shkuar në Polici, e kemi kërkuar me ligj nëse mund ta marrim trupin e motrës me e pru këtu sepse nuk duam ta lëmë në tokën e tyre që na prenë në besë, më mirë në tokën e prindërve, të gjyshërve”, tha Leonard Ademaj.
Kërkesa u aprovua dhe rivarrimi do të bëhet nesër në orën 14:00. Vëllai i saj ka thënë se beson tek drejtësia e Kosovës dhe se shpreson që rasti i motrës së tij të jetë i fundit.
“Ne besojmë në drejtësinë e Kosovës dhe çdo gjë e lëmë në dorë të drejtësisë. Le të jetë Liridona rasti i fundit që është vrarë, mos të vritet më asnjë grua, asnjë nënë dhe asnjë motër e jona”, ka thënë Leonardi.
Ndërkohë pranë gjykatës së Prishtinës protestuan disa gra për vrasjen e Liridonës, duke mbajtur në duar pankartat “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”. Protestë u zhvillua edhe në Tiranë, para ambasadës së Prishtinës, së cilës iu bashkua edhe ambasadori Skënder Durmishi.
Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Ngjarja e rëndë u shënua më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë të Kosovës. Atë natë Murseli kishte rrëfyer në polici se kishin rënë pre e një grabitjeje teksa kishte qenë në makinë me Liridonën dhe fëmijët, por hetimet dhe provat çuan në një pistë tjetër. Dhe më 1 dhjetor, pak orë pas ceremonisë mortore të Liridona Murselit, u njoftua arrestimi i Naim Musrelit. Ky i fundit i ka dhënë të dyshuarit Plava, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.
Një nga pistat e para që po qarkullon për vrasjen e Liridona Murseli Ademajt, të prorositur nga bashkëshorti Naim Murseli është një sigurim që i kishte paguar viktimës në Suedi. Media “Indeksonline” raporton se sigurimi jetësor që Naim Murseli i kishte paguar Liridonës në një kompani të fuqishme suedeze, mundësonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore të mbulonte shpenzime deri në 20 milionë eurove. Naim Murseli dyshohet se ka qenë në dijeni për këtë shumë shpaguese nga sigurimi dhe kjo dyshohet se është një nga motivet që mund ta ketë çuar atë në gjithë organizimin e vrasjes makabër të gruas së tij Liridonës.