Deputeti Gazment Bardhi ka komentuar draftin e PS për ndryshimin e ligjit për ngritjen e Komisioneve Hetimore. Bardhi e cilësoi një ligj komunist që kufizon të drejtën e opozitës për të ngritur komisione hetimore. Ndërsa akuza pati edhe për Felajn, për të cilën thotë se duhej të propozonte një ligj që nuk lejohen katër familjarë në Prokurorinë e Tiranës.
“Shiko të zonjën që e ka propozuar ligjin, e zezë është zonja kolegia që e ka propozuar, i zi është dhe ligji. Ligj tipik komunist që i mohon të drejtën opozitës për të ngritur komisione hetimore, vetëm Felaj mund ta propozonte një ligj të tillë që në themel të tij nuk ka kushtetutën , por ka mllefin e një njeriu që ka humbur arsyen. Para se të propozojë për të kufizuar të drejtat e opozitës, do duhet të propozojë për të kufizuar konfliktin e interesit në prokurorinë e Tiranës. Të bëjë një propozim që nuk lejohet që katër familjarë të pushtojnë për gjobëvënie prokurorinë e Tiranës. Shiko autoren e projektligji dhe ligjin. I zi autori dhe i zi edhe ligji.”, u shpreh Bardhi.
Ai tha se Kuvendi ka humbur legjitimitetin dhe shtoi se aksioni opozitar do të vijojë derisa opozitës t’i garantohen të drejtat kushtetuese.
“Edhe pse prej kohësh Kuvendi është futur në anormalitet, mazhoranca nuk ka asnjë respektim për të drejtat e opozitës. Nuk kemi kërkuar asnjë favor për veten por vetëm që të ushtrojmë të drejtat tona kushtetuese. Opozitës i mohohet e drejta për të patur përfaqësuesin e saj në komisionin e Reformës Zgjedhore.
Opozitës i mohohet e drejta për të kontrolluar qeverinë. Ne kemi detyrë që të kontrollojmë qeverinë mbi zbatimin e kontratave në fushën e shëndetësisë dhe vendimmarrjen e Edi Ramës në kushtet e konfliktit të interesit. Ajo që patë sot ishte vijimi i aksionit tonë për të mos lënë deputetët e mazhorancës të vijojnë punën në seancë. Praktikisht, kjo sallë ka humbur legjitimitetin si vendi ku mblidhen përfaqësuesit e popullit shqiptar”- tha Bardhi.