Publikimi i rezultateve të testit “PISA 2022” nga OECD sot tregon në përgjithësi një rënie të paprecedentë të performancës së nxënies në të gjithë vendet e OECD, krahasuar me vitin 2018.

Performanca mesatare ra me dhjetë pikë në lexim dhe me pothuajse 15 pikë në matematikë, e cila është e barabartë me tre të katërtat e të mësuarit në një vit. Rënia në matematikë është tre herë më e madhe se çdo test i mëparshëm.

Në fakt, një në katër 15-vjeçarë është tani me një performancë të ulët në matematikë, lexim dhe shkencë nga mesatarja e OECD.

Ky trend është më i theksuar në 18 vende dhe ekonomi, ku më shumë se 60% e 15-vjeçarëve kanë mbetur prapa. Megjithatë, rënia mund t’i atribuohet vetëm pjesërisht pandemisë COVID-19. Rezultatet në lexim dhe shkencë kishin tashmë rënie që para pandemisë. Për shembull, tendencat negative në performancën e matematikës ishin tashmë të dukshme edhe para vitit 2018 (testi i kaluar i PISA-s) në Belgjikë, Kanada, Çeki, Finlandë, Francë, Hungari, Islandë, Holandë, Zelandën e Re dhe Republika Sllovake.

Ndërkohë, rezultatet e PISA 2022 për vendet me performancën më të mirë dhe ato me performancën më të dobët në matematike shkencë dhe lexim janë këto:

Në matematikë: gjatë kësaj periudhe, performanca e matematikës u përmirësua në Kinë, Arabinë Saudite, Republikën Domenikane, Brunei, Kamboxhia, Paraguaj dhe Guatemala (në rend zbritës) me rreth 10 deri në 16 pikë.
Në Shqipëri, Jordani, Islandë, Norvegji dhe Malajzi (në rend zbritës), rezultatet e matematikës ranë me më shumë se 30 pikë.

Në lexim: Performanca e leximit është përmirësuar në Brunei, Panama, Kine, Katar, Japoni, Republikën Domenikane dhe Kamboxhia (në rend zbritës) me rreth 8 deri në 21 pikë midis 2018 dhe 2022.
Ndërkohë në Shqipëri, Islandë dhe Maqedoninë e Veriut, rezultatet e leximit ranë me më shumë se 30 pikë gjatë asaj periudhe.

Në shkencë: Performanca e shkencës u përmirësua në 18 vende/ekonomi midis 2018 dhe 2022, duke përfshirë në Kazakistanin, Republikën Domenikane, Panamanë, Kinën, Japoninë, Kamboxhian dhe Brunein (në rend zbritës), ku rezultatet u përmirësuan me rreth 15 deri në 26 pikë.

Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Islandë dhe Malajzi (në rend zbritës), rezultatet e shkencës u përkeqësuan me më shumë se 20 pikë gjatë periudhës.

Po ashtu Kosova ka një rënie të dukshme në testin PISA 2022. Për këtë ka reaguar sot Organizata për Përmirësimin e Cilësisë në Arsim (ORCA). Sipas kësaj organizate, rezultate tregojnë për një “katastrofë arsimore në Kosovë” dhe rritje të analfabetizmit.

“Me shqetësim të madh, por jo me mosbesim pranuam rezultatet e ‘PISA 2022’ të cilat u publikuan në Paris nga OECD. Kosova ka shënuar rënie si në renditje, ashtu edhe në performancë. Në vitin 2018 kanë marrë pjesë 74 shtete dhe Kosova renditet në vendin e 72-të, ku 66% e nxënësve shënuan performancë të dobët, ndërsa në vitin 2022 morën pjesë 80 shtete dhe Kosova renditet e 79-ta, pra e parafundit, ku 72.9% e nxënësve shënuan performancë të dobët”, thuhet në reagim. Gjithashtu vihet re se analfabetizmi është rritur. “Analfabetizmi funksional fatkeqësisht është rritur, numri i nxënësve që nuk kuptojnë lexim është rritur nga 78% në vitin 2018 në 83% në vitin 2022. Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performancë nën nivelin janë rritur nga 76%, nga sa ishin në 2018, në 85% në 2022. Ndërsa në shkencë, nga 76% në 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në 2022”, thuhet në deklaratën e ORCA-s.

Si Shqipëria dhe Kosova renditen në fund të tabelës, duke u renditur më keq nga vendet e rajonit, por edhe nga vendet e tjera. Kosova renditet edhe më keq se Shqipëria.

Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë, shpesh përmendet si shkaku kryesor i rënies së performancës, por nuk është aq i drejtpërdrejtë. Në të gjithë OECD, rreth gjysma e studentëve përjetuan mbyllje për më shumë se tre muaj. Megjithatë, rezultatet e PISA-s nuk tregojnë dallim të qartë ndërmjet sistemeve arsimore që përjetuan mbyllje më të gjatë të shkollave si Islanda, Suedia dhe Kina me vendet që i mbyllën shkollat në afate më të shkurtra si Brazili, Irlanda dhe Xhamajka.

Ky botim i PISA përfshin të dhëna nga 81 vende dhe ekonomi. Testi fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në 2021, por u vonua me një vit për shkak të pandemisë COVID-19. Rrethanat e jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj periudhe, duke përfshirë bllokimet dhe mbylljet e shkollave në shumë vende, çuan në vështirësi të herëpashershme në mbledhjen e disa të dhënave. Ndërsa shumica dërrmuese e vendeve dhe ekonomive plotësonin standardet teknike të PISA-s (të disponueshme online), një numër i vogël nuk arritën ti plotësonin.

Megjithatë, rezultatet e përgjithshme sugjerojnë se disa shkolla u përpoqën të kalonin në mësimin në distancë gjatë mbylljes së shkollave të tjerët u rritën nga kjo përvojë. Këtë e raportuan disa vende, duke përfshirë Islandën dhe Marokun shkollat e tyre ishin më pak të përgatitura për mësimin në distancë pas pandemisë, ndërsa në Shqipëri, Brazil, Kamboxhia dhe Rumania raportuan se shkollat e tyre ishin më të përgatitura pas pandemisë.