Gjermania numëron katër të vdekur, përfshirë një djalë 10-vjeçar, në zonat që janë prekur veçanërisht ditët e fundit për shkak të motit të keq.

Probleme të rënda ekzistojnë në autostrada, ku rrëshqitja e sipërfaqes rrugore shkakton vështirësi të mëdha në drejtimin e automjeteve në autostrada.

Probleme dhe vonesa mbeten edhe në aeroportin e Mynihut , ku pasagjerët vazhdojnë të vuajnë.

Dy burra u vranë në një autostradë në Bavarinë jugore, kur makina me të cilën po udhëtonin u përplas me një kamion pasi shiu “i ngrirë” e bëri atë shumë të rrëshqitshëm. I njëjti fenomen shkaktoi shumë më tepër aksidente trafiku në zonën e Mynihut, por me ashpërsi të kufizuar.

Në një rajon gjysmë malor të Saksonisë, një autobus u përplas me një borëpastrues dhe më pas në një pemë, duke vrarë një djalë 10-vjeçar që ishte në autobus. Shoferi dhe një pasagjer tjetër kanë mbetur të plagosur rëndë. Në Baden-Württemberg, një 57-vjeçar nuk arriti të përdorte në kohë sistemin e frenimit dhe u përplas me një autobus. Nga përplasja ka mbetur i plagosur për vdekje.

Në aeroportin e Mynihut, i cili qëndroi i mbyllur në pjesën më të madhe të fundjavës, fluturimet janë pezulluar sërish sot për shkak të akullit, ndërsa orari i fluturimeve mbetet i kufizuar.