Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pezulluar nga detyra prefektin e Kukësit, Granit Gjana. Ai akuzohet për shkelje të barazisë në tenderat për blerje karburanti gjatë kohës që mbante postin e zëvendës kryetarit të bashkisë së Kukësit.

Vendimi u mor më 1 dhjetor ndërsa është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit në datën 05 dhjetor 2023.

Sipas SPAK, Granit Gjana gjatë kohës që ka qenë zëvendës kryetar i bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera për “blerje karburanti” në vlerën 21 milionë lekë. Shkeljet sipas prokurorisë së posaçme janë bërë në vitin 2023 gjatë kohës që Granit Gjana si zëvendës kryetar, ka qenë titullar i Autoritetit Kontraktor i bashkisë së Kukësit për këto tendera.

“Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim G. Gj., në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”- njofton SPAK.

Vendimi

Mësohet se masa e sigurimit ndaj Granit Gjanës duke e pezulluar atë nga puna si prefekt, është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit në datën 05.12.2023.

“Në vijim të hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 133, datë 01.12.2023 ka vendosur:
 Caktimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në ngarkim të personin nën hetim G. Gj., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal, duke u ndaluar plotësisht i hetuari G. Gj., në ushtrimin e detyrës pranë Prefekturës Kukës.”