SPAK ka njoftuar zyrtarisht lëshimin e 15 urdhër-arresteve në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Për 7 nga këta persona, Gjykata e Posaçme ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg”.
Mes tyre ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i Ministrisë, Alqi Bllako, të dy të dënuar për shpërdorim detyre, korrupsion e pastrim parash për dy inceneratrorët e tjerë, atë të Fierit e Elbasanit.
Gjithashtu, SPAK ka gjetur përgjegjës për koncensionin e inceneratorit të Tiranës edhe dy administratorët, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, që edhe këta janë dënuar në mungesë për Fierin e Elbasanin për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Skemë kjo, që sipas SPAK është vënë në jetë falë ndihmesës së 11 zyrtarëve, një prej të cilëve ende në arrati së bashku me dy biznesmenët Mërtiri e Zoto, të cilët akuzohen se janë favorizuar për të përfituar koncensionin për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës në shkelje të ligjit.
“Kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, shtetasi Lefter Koka, shtetasi Alqi Bllako, shtetasja Alba Thoma, shtetasi Bledar Karoli, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare,me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie”.
Tetë janë shkeljet që SPAK thotë se ka gjetur nga hetimet. Mes tyre është dhe fakti që anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave nuk kanë hartuar dokumentacionin për zhvillimin e kësaj procedure, por i gjithë procesi është kryer nga punonjës të biznesmenit Klodian Zoto.
Një tjetër shkelje e evidentuar nga prokuroria gjatë këtij hetimi është studimi i fizibilitetit, që është kryer në mënyrë fiktive. Kjo, pasi SPAK ka zbuluar se ajo është realizuar përmes të dhënave të marra nga kompania “Integrated Energy BV”, e cila ka rritur kostot.
Prokuroria e Posaçme gjithashtu thotë se për të funksionuar kjo skemë është dashur kontributi i Vladimir Bezhanit, i cili sipas SPAK ka qenë ura lidhëse mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë koncesionare. Me rolin e këshilltarit të jashtëm të ministrit të Mjedisit, Bezhani ka përfituar si rryshfet një shumë prej 75 milionë Lekë.
Ndërsa Alqi Bllako ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri 119 mijë Euro me qëllim favorizimin “Integrated Energy BV”.
Sakaq, dy pronarët e kompanisë Zoto e Mërtiri kanë paraqitur fatura fiktive për punime të pa kryera duke përfituar rreth 400 milionë Lekë, një pjesë e të cilave janë tërhequr cash dhe dërguar jashtë Shqipërisë.