Ulja e temperaturave gjatë fundjavës, por jo vetëm, ka rritur numrin e qytetarëve të prekur nga gripi por edhe viroza të shumta, që qarkullojnë në vendin tonë.

Mjekët nëpër qendra shëndetësore të cilët vizitojnë pacientët, thonë se trendi është në rritje dhe se fillimi i vitit të ri mund të çojë në një situatë më të rënduar epidemiologjike.

“Ka një fluks të shtuar këto ditë dhe vihet re kombinim i virozave të shumta, por edhe gripi stinor edhe pse ne nuk arrijmë të dallojmë”, tha Bruna Shiroka, doktoreshë e qendrës shëndetësore numër 3.

Por si në rastet e virozave ashtu edhe të gripit stinor mjekët thonë se vihet re gjendje e rënduar madje shpesh edhe me komplikacione që kërkojnë trajtim mjekësor të zgjatur në kohë.

“Kemi shumë raste me temperaturë rezistente që shkojnë edhe 39 – 40 gradë dhe mezi menaxhohet”, tregon Shiroka.

Më e prekur nga virozat dhe gripi janë fëmijët e vegjël dhe mosha aktive, e cila nuk është e vaksinuara. Për të përballuar këtë sezon dimri, mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen, për ta kaluar sa më lehtë sëmundjen që shkakton virusi i gripit.

“Është thirrja e fundit që bëhet, duke përllogaritur edhe dy javë kohë që do vaksina të japë efekt, janë në kohë për ta aplikuar. Që nga koha e Covidit ka një lodhje të qytetarëve dhe nuk kanë shfaqur interes për t’u vaksinuar. Ata me sëmundje kronike janë vaksinuar por pjesa tjetër e popullatës nuk kanë qenë bashkëpunues”, u shpreh mjekja.

credit/TOP CHANNEL