Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, shpalli vendimin për lirimin me kushte nga burgu të ish zëvendës kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, që po vuante një dënim për “pengim të drejtësisë”.

Në maj të vitit 2022, Haradinaj së bashku me ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati u dënuan me nga katër vjet e gjysmë heqje lirie.

Në tetor të këtij viti, gjykata liroi Gucati, ndërsa la në shqyrtim kërkesën për Haradinajn, lirimi i të cilit u publikua të enjten.

Në një njoftim të Gjykatës së Posaçme thuhet se kryetarja e saj Ekaterina Trendafilova vendosi lirimin e tij pasi “konstatoi se Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, Kryetarja mori parasysh pendesën e Haradinajt dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendim theksohet se nëse Nasim Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara, vendimi do të anulohet, raporton Zëri i Amerikës.

Të dy ish-udhëheqësit e Organizatës së veteranëve të Luftës u arrestuan më 25 shtator të vitit 2020 pasi organizata tha atë muaj se kishte marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Prokuroria e Specializuar tha se “Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u organizuan në bashkërendim për shpërndarjen e paautorizuar të informacionit të besueshëm dhe jo publik, duke marrë një vendim nëse ose se si të shpërndahen, duke organizuar dhe duke marr pjesë në konferencat për shtyp dhe paraqitje publike ku informacioni i besueshëm dhe jo publik është përhapur dhe diskutuar publikisht”.

Prokuroria tha se me këto veprime, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë shkelur fshehtësinë e procedurës dhe frikësuar dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si rrjedhojë, penguan punën dhe hetimet e kësaj prokurorie.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, trajtojnë pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.