Protesta e paralajmëruar e opozitës përpara kryesisë së kuvendit, Sali Berisha kërkon të mos lidhet me shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për imunitetin e tij. Kjo, edhe pse protesta është thirrur të zhvillohet në të njëjtin vend dhe të njëjtin orar kur Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka thirrur mbledhjen për këtë çështje.
“Po të ishte për SPAK-un, bënim thirrje shkojmë tek SPAK-u. Absolutisht vetëm për Shqipërinë”.
Arsyeja e thirrjes së saj nga kryesia demokrate, garanton se lidhet me ashpërsimin e masave disiplonore në rregulloren e parlamentit, në mënyrë të njëanshme nga shumica. Nuk zbulon dhe nuk përjashton asnje skenar për protestën.
“Presim ditën e hënë të shohim se çfarë do jetë. Kemi filluar protestat për rrëzimin e qeverisë”.
Nuk e artikulon prerë, por shpreson që në protestë të jetë i gjithë grupi parlamentar, përfshirë njerëzit e Gazmend Bardhit që në mbledhjen e fundit nuk dhanë miratimin për nisjen e protestave.
“Unë besoj se çdo njeri që kundërshton Edi Ramën është me këto protesta”.
Berisha dhe Këlliçi publikuan një dokument ku faktohej komunikimi mes ministres Balluku dhe Bashkisë së Tiranës për përfaqësuesin që kjo e fundit kishte detyrim për të patur në njësinë e zbatimit të projektit për inceneratorin që aktualisht është nën administrim shtetëror.
Çka dëshmon, sipas tyre se punonjësit refuzojnë të firmosin për të shkuar në burg në vend të Veliajt. Për këtë të fundit, Berisha përsëriti se është amnistuar nga SPAK-u, ndaj po përgatitet dhe një padi penale kundër përfaqësueseve të kësaj strukture.
“Amnistia e Erion Velisë është krimi më i shëmtuar që është kryer në hetuesinë e Shqipërisë. Do të ketë një padi penale të përjetshme”.
Përserit se po bëhen gati të kërkojnë dhe heqjen e mandatit të kryeministrit Rama për konflikt interesi në favorizimin me fonde publike të vajzës së bashkëshortes së tij.