Pasi i shpërbleu financiarisht me vendim qeverie me një pagë shtesë, kryeministri zgjodhi që t’i falenderojë dhe personalisht të gjithë punonjësit e administratës publike që përbënin grupin negociator në procesin Screening. Bashkë me falënderimet, Rama nuk i kursen vlerësimit për ta duke i krahasuar me kombëtaren e futbollit për nga fitorja që i dhanë Shqipërisë.

Por ndërkohë që procedura e anëtarësimit pas përfundimit të Screening parasheh nisjen e hapjes e kapitujve konkretë, Shqipëria nuk do të mund ta hedhë këtë hap, derisa Greqia të heqë dorë nga veto. Bllokimi është i kushtëzuar me lejimin e betimit të Fredi Belerit, por Rama deklarohet i hapur për të negociuar me qeverinë greke, edhe pse sërish thotë prerazi se nuk do të ketë asnjë ndërhyrje në vendimin e sistemit të drejtësisë.

“Mos kini asnjë shqetësim, s’do ketë humbje kohe sepse do të gjejmë gjuhën edhe për këtë. Me mirëkuptimin për asnjë çështje të drejtësisë, s’bëjmë asnjë lloj kompromisi me askënd dhe për asnjë arsye. Me fqinjët tanë do të arrijmë së bashku të vendosim arsyet madhore mbi këtë çështje që nuk ia heqim rëndësinë që ka. Jemi disponibël për çdo gjë që nuk prek procesin e konsolidimit të sistemit të ri të drejtësisë”.

Kryeministri flet me shifra për përfitimet financiare që ka vendi gjatë këtij procesi.

“1 miliard euro plus që do të vijnë në disa vitet e ardhshme për Shqipërinë, përtej mbështetjes së programuar me IPA e përtej buxhetit tonë. Një sërë hapjesh të reja për integrimin në tregun e përbashkët, kur më parë ndodhte vetëm për vendet anëtare të BE.”

Rama se sheh Shqipërinë si pararojë krahasuar me 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, edhe pse Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur negociatat shumë vite përpara vendit tonë.