Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Millan Radojçiç, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
Gjatë konferencës për media, Kurti është pyetur se çfarë është duke bërë Kosova për të ruajtur kufijtë pas alarmimeve për sulme të reja në Kosovë.
Sipas tij, Policia e Kosovës është duke patrulluar bashkë me KFOR-in dhe kjo ka bërë që të zmbrapsen nga planet për sulm të radhës në Kosovë.
Kufiri me Serbinë është më i gjati 381 kilometra. Është edhe terren kodrinoro-malor. Ajo që po bëjmë ne e që duket se i ka zmbrapsur planet për sulm, është patrullimi i përbashkët me KFOR-in. Në anën tjetër kemi një inteligjencë shumë të suksesshme të Kosovës. Është e paparë puna e AKI-së në kuptimin e dyfishtë të fjalës. Këso rezultatesh janë të papara në historikun e AKI-së, për çka i falënderoj shumë AKI dhe drejtorin. Kur kësaj i shtohet edhe koordinimi me aleatët, ne jemi të përgatitur që t’i zmbrapsim suksesshëm çfarëdo sulmi që mund ta mendoj çdo kush”, ka thënë Kurti.
“Barrikadat vitin e kaluar dolën të ishin kot, edhe këto sulme dëme të përkohshme por kot. Lënduan ushtarët e KFOR-it, vranë Afrim Bunjakun, u vranë 3 serb të grupit të Radojicict, dy prej tyre kanë qenë fëmijë në kohë të luftës në Kosovë 98-99, sepse për mua është e qartë që dikush në Beograd dëshiron që konflikti të iu mbetet gjeneratave të ardhshme. Unë jam një politikan që dëshiroj të mos ketë luftë më dhe ju brezat e ri të mos e merrni vesh kurrë cka është lufta. Le të kryhet kjo punë me Xhelalin edhe me mu. Le të kryhet me brezin tonë. Le të kryhet edhe me brezin e Vucicit. Por mos të bartet lufta, gjakderdhja tek brezi i ri. Tash me këta terroristë që u vranë, ka një cytje e orkestrim që konflikti të bartet tek brezi i ardhshëm. Kjo është brengosëse për mua në aspektin socio-historik. Sepse nëse vdesin brezat e rinj pa e ditur çfarë ka ndodhur më 1999, është përgatitje për brezat e ardhshëm që të përjetojnë tragjeditë që i kemi pasur edhe ne. Duhet të ndërpritet kjo. Duhet të përgatitemi për integrime dhe të orientohemi kah normalizimi i raporteve. Ky është synimi ynë, por s’është kollaj sepse po përballemi me një Serbi agresive dhe armiqësore”, shtoi Kurti.