Kaos dhe panik në Lushnjë! Kati i dytë dhe i tretë i qendrës tregtare ‘Metropol’, qendër e cila ndodhet në një pallat 12 katësh, është përfshirë nga flakët! Fillimisht flakët kanë përfshirë katin e dytë dhe të tretë, por zjarri më pas është përhapur edhe në katin e katërt dhe më pas në apartamentet që janë në godinën e Qendrës Tregtare.
Policia bën me dije se zjarri ka rënë rreth orës 14:40 dhe dyshohet se ende brenda saj ka njerëz. Nuk ka shifra të sakta se sa persona ka brenda në godinë dhe se si është gjendja e tyre.
Deri tani flitet për 25 persona që kanë shkuar në spital me probleme me frymëmarrjen.
Nga pamjet e publikuara disa nga qytetarët janë përpjekur të dalin nga dritaret dhe nga ballkonët, ndërsa për evakuimin e tyre kanë asistuar edhe forcat zjarrfikëse. Në ndihmë të tyre është dërguar edhe një vinç që do të bëjë të mundur nxjerrjen e qytetarëve nga banesa. Si pasojë e tymit, disa qytetarët janë asfiksuar dhe janë dërguar në spital.
Forcat Zjarrfikëse po punojnë për të shuar flakët dhe për të bërë evakuimin e plotë. 7 zjarrfikëse dhe 8 ambulanca ndodhen në vendngjarje. Në ndihmë të zjarrfikëses së Lushnjës kanë mbërritur edhe zjarrfikëse nga Fieri e Patosi. Ambulanca dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike.
‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare. Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.
Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.’- njofton policia.