Beogradi u përfshi të dielën nga protesta të forta ku demostruesit opozitarë u përpoqën të futen në godinën e bashkisë së qytetit. Policia reagoi me dhunë, me pasojë dhjetëra të arrestuar.

Forca të mëdha policore kanë shpërndarë mbrëmjen e 24 dhjetorit me dhunë shproporcionale demonstruesit e mbledhur në qendër të Beogradit, në protestën e shtatë të opozitës serbe, pas zgjedhjeve të fundit. Opozita pretendon se zgjedhjet në kryeqytet, ashtu si në gjithë vendin janë manipuluar nga partia në pushtet SNS e presidentit Aleksandar Vuçiç. Ajo kërkon anulimin dhe përsëritjen e tyre.

Në protestën e së dielës para godinës së bashkisë në Beograd, ku ka pasur edhe dhunë fizike dhe thyerje të dritareve, u arrestuan 35 persona. Opozita akuzoi qeverinë për dhunë gjatë shpërndarjes së demonstruesve.
Protestuesit bërtisnin “Hape derën” dhe “Hajdutë”, ndërsa goditën ndërtesën me vezë dhe gurë. Disa brohoritën “Vuçiç është Putin”, duke e krahasuar presidentin serb me liderin rus.

Nebojsha Zelenoviç, një nga udhëheqësit e aleancës opozitare Serbia kundër dhunës, tha se oficerët e policisë pushtuan të gjithë qendrën e Beogradit, duke përfshirë çatitë e ndërtesave. Zona ku është selia e parlamentit kombëtar dhe presidencës së bashku me qeverinë e qytetit u militarizua.

Policia fillimisht u barrikadua brenda ndërtesës së qeverisë së qytetit, duke hedhur gaz lotsjellës ndërsa qindra protestues të opozitës thyen xhamat në hyrje. Më pas, policia e shtyu turmën nga qendra e qytetit dhe bëri disa arrestime.

Incidentet filluan kur përfaqësuesit e listës opozitare “Serbia kundër dhunës” tentuan të hynin në ndërtesën e Bashkisë së Beogradit, në mënyrë që t’iu adresoheshin qytetarëve nga ballkoni i objektit. Ata shtynë derën, por nuk arritën të hynin, pasi u parandaluan me forcë nga policia.

Një pjesë e protestuesve thyen xhamat e dyerve dhe dritave të ndërtesës. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës.

Presidenti serb Vuçiç iu drejtua mbrëmë opinionit me fjalët se është mbajtur edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar situatën, duke theksuar se trazirat ishin nxitur nga jashtë. Vuçiç i quajti demonstruesit “banditë”, të cilët nuk do të kenë sukses në destabilizimin e shtetit dhe tha se “ky nuk është një revolucion”.

Unë kam qenë në Presidencë, në vendin tim të punës dhe nuk kam pasur fare frikë nga ju dhe nuk do t’ju ​​lë ta shkatërroni Serbinë”, ka theksuar Vuçiç në Instagram me një video-mesazh nga Presidenca e Serbisë.

Ai deklaroi se herë pas here i duket se kundërshtarët politikë, por edhe mentorët e tyre nga jashtë, mendojnë se të gjithë në këtë vend janë idiotë dhe se askush nuk ka sy e veshë dhe se askush nuk e kupton se çfarë ka ndodhur.

Vuçiç thote se protestat janë një përpjekje e organizuar nga jashtë për të rrëzuar qeverinë.

Mediat perendimore që pasqyruan këtë ngjarje rikujtuan se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar se gjatë zgjedhjeve ka pasur “parregullësi”  të dukshme. Ndërsa shtypi gjerman i bëri jehonë reagimit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ku thuhet se shkelje të rregullave në këto përmasa, gjatë zgjedhjeve nuk janë në përputhje me një vend kandiat për anëtarësim në BE. 

Negociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç, ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetje të protestave opozitare në Beograd.

Pas protestave masive Petkoviç është shprehur në rrjetin social X se “tërbimi i opozitës së Gjilasit e ka kënaqur Kurtin dhe mediat në Prishtinë”.

“Është e qartë pse Kurti e ka përkrahur hapur opozitën e Gjilasit, ndërsa sulmon çdo ditë serbët në Kosovë”, ka thënë ai.

Për këtë të hënë janë paralajmëruar protestat e studentëve në Beograd, të cilët do të bllokojnë për dy orë trafikun në qendër të qytetit.