Është shtyrë për nesër në orën 11:00, seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, seancë në të cilën SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’.
Avokatët e Sali Berishës, i cili është është në hetim për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të klubit ‘Partizani’, në kohën kur ishte në krye të qeverisë, kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me provat e prokurorisë. Po ashtu avokatët Sokol Mëngjezi dhe Genc Gjokutaj, kanë përsëritur sërish kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi sipas tyre ka konflikt interesi sepse është shkarkuar nga ish-kryeministri më 1996.
Vetë Berisha, nuk ishte prezent, ndërsa paralelisht mbajti një bashkëbisedim me të rinjtë e FRPD-së. Ndërkaq në ambientet e prokurorisë së Posaçme janë marrë masa të shtuara sigurie pasi kanë shkuar patrulla policie.
Kërkesa e SPAK për zëvendësim mase u bë të premten vetëm një ditë pasi mori autorizimin nga Kuvendi, teksa gjyqtarja Irena Gjoka pritet që ta pranojë këtë kërkesë, pasi të dëgjojë palët, prokurorët e SPAK dhe mbrojtjen e Berishës.
Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Në dosjen e klubit sportiv “Partizani” thuhet se ish Kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, sot në arrest shtëpie, të privatizojë kompleksin dhe ndërtojë 19 kulla të cilat i sollën fitim prej 5.4 mln euro.