Vijon saga për vulën e PD nëpër dyert e drejtësisë. Gjykata e Lartë detyron gjykatën e Apelit të dalë me një vendimmarrje se kujt i takon vula e PD-së dhe zhbën vendimin e 3 marsit të kësaj gjykate që ‘zhbëri’ vendimin e Zhukrit dhe e ktheu në gjykatën e shkallës së parë.
Me vendimin e sotëm të marrë në dhomën e këshillimit nga tre gjyqtarët Artur Kalaja, Ervin Pule dhe Dariel Sina, gjykata e Apelit detyrohet të marrë vendim përfundimtar me trupë të re gjykuese për vendimin e mëparshëm të Agron Zhukrit, që i la vulën e PD Berishës.
Ndërsa rekursi i Rithemelimit shqyrtohej në Gjykatën e Lartë, para godinës Berisha protestoi gati 1 orë me një grup të vogël militantësh dhe deputetë besnikë që e mbështesin. Në një moment ata bllokuan dhe rrugën para gjykatës duke detyruar drejtorin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj të ndërhynte për ta liruar.
Më pas Berisha, krah tij Flamur Noka dhe Luçiano Boçi u ulën këmbëkryq para gjykatës për disa minuta dhe më pas nisën marshimin drejt selisë së Rithemelimit. Në një moment ndaluan edhe para PS.
Berisha po përgatitet për arrestin në shtëpi.
“Sot nisim kapitull të ri’ u tha ai grupit të militantëve që e shoqëruan deri tek selia
Për shkak të bllokimit të një prej akseve me të qarkullueshme në kryeqytet, u krijua një trafik i rënduar.
Në mars të këtij viti,Gjykata e Apelit vendosi të rrëzojë vendimin e Agron Zhukrit dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese.