Finlanda do të jetë vendi i parë që do të vuajë në rast të një përshkallëzimi të tensioneve midis Rusisë dhe NATO-s, është shprehur një diplomat i lartë rus.

Finlanda u bashkua me NATO-n këtë vit pasi mbajti një status neutral për dekada, një lëvizje për të cilën Rusia thotë se e ktheu Helsinkin në një aktor armiqësor sipas pikëpamjes së saj, raporton Reuters.

“Ata kanë jetuar të qetë dhe në paqe dhe papritmas përfunduan mes Rusisë dhe NATO-s si anëtare e asaj aleance, por duke qenë se ata janë fqinjët tanë, nëse Zoti na ruajt, do të ketë ndonjë përshkallëzim, ata do të jenë të parët që do të vuajnë”, tha Mikhail Ulyanov, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë.

Rusia e paralajmëroi Finlandën këtë muaj për një marrëveshje të re të mbrojtjes që i jep Shteteve të Bashkuara qasje të gjerë në afërsi të kufirit finlandez me Rusinë.

Në anën tjetër, Finlanda së fundmi ka mbyllur kufijtë e saj me Rusinë për shkak të një vale të madhe emigrantësh, për të cilën finlandezët thonë se po shkaktohet nga FSB-ja ruse.