Belgjika do të marrë nga Spanja këtë të dielë presidencën gjashtë mujore të Bashkimit Evropian. Brukseli ishte i pari që mori rolin e kryesuesit të organizatës që kur ky sistem u vendos. Ky kryesim i Evropës së bashkuar nga ana e Belgjikës ndodh në një moment kyç për BE-në pasi nga fundi i kësaj presidence, mes datave 6 dhe 9 Qershor, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane.
Për Belgjikën, kjo periudhë e zgjedhjeve do të jetë edhe më e rëndësishme pasi në të njëjtën kohë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian, do të zhvillohen edhe zgjedhjet kombëtare, edhe ato rajonale edhe ato lokale. Pavarësisht, kësaj Qeveria aktuale e Belgjikës ka premtuar se do të ketë kapacitetet e duhura për të kryer me sukses drejtimin e BE-së.
Gjatë kryesimit të Spanjës u miratuan vendime historike për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, u shpreh edhe gatishmëria për të nisur negociatat me kushte edhe me Bosnje e Hercegovinën si dhe iu dha statusi i vendit kandidat Gjeorgjisë.
Nuk pati asnjë hap të vetëm sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe kjo nuk pritej gjatë kryesimit të Spanjës, e cila është ndër vendet anëtare të BE-së që e kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës.
Tani kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e radhës e kishte Çekia. Në dokumentet e Qeverisë së Belgjikës ku përmenden prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve sa do të jetë në krye të BE-së vetëm shkruan se gjatë kësaj periudhe do të çojë përpara punën në procesin e zgjerimit që është në vijim e sipër.
Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit”, thuhet në dokumentin e prioriteteve të Belgjikës, e cila do ta kryeson BE-në në gjysmën e parë të vitit 2024.
Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në këtë dokument.
Po ashtu, nënvizohet se pikërisht gjatë kryesimit të Belgjikës me BE-në, më saktësisht më 1 maj të vitit 2024, do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të Bashkimit Evropian. Belgjika si kryesuese e BE-së e vlerëson këtë si “hap të madh drejt bashkimit dhe prosperitetit të kontinentit të Evropës”.
Belgjika, gjatë kryesimit do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm.
Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2029.