Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka paraqitur një kërkesë për të vendosur në regjimin e Posaçëm ’41 Bis’ vrasësin e 4 grave, Dan Hutrën dhe 3 të paraburgosurve të tjerë Martin Kapllani, Geraldo Veizi dhe Feti Kovaçi, pasi tentuan që të arratisen nga burgu i Fierit.

Ata sharruan hekurat e dritares së qelisë ku mbanin një çarçaf të improvizuar dhe mjete të tjera për arratisje. Plani dështoi pasi burgjet e zbuluan në kohë dhe e parandaluan ndërkohë që masat e sigurisë dhe kontrollet janë shtuar.

Plani për arratisjen nga burgu Dan Hutra autor i disa vrasjeve, e kishte koordinuar në bashkëpunim me tre të paraburgosurit e tjerë ku në dhomën ku ishin të akomoduar këta të fundit, Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr.15, ku mbahej Dan Riza Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht, një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara, disa prej të cilave tregohen në këto foto.

Personat e tjerë të përfshirë në plan, janë Martin Kapllani, që mbahej në “arrest në burg”, për “Vjedhe” si grabitës i një çante me florinj në një argjendari në Vlorë, Geraldo Veizaj, në “arrest në burg”, për vjedhje në disa biznese e banesa dhe Feti Kovaçi, gjithashtu në “Arrest në burg” për “Vjedhje”.

Zbulimi i planit të Dan Hutrës dhe tre personave tjerë është pasuar me rritjen e masave të sigurisë në paraburgimin e Fierit dhe kryerjen e kontrolleve të hollësishme të elementëve të sigurisë, në të gjithë institucionin.

Kush është Dan Hutra, vrasësi i grave
Dan Hutra ka histori të përsëritur kriminale, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e  veprave penale, “Vrasje për shkak të mardhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c, “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Ai njihet si autor i vrasjes së katër grave.

40-vjeçari është në pritje të gjykimit për masakrën e 1 marsit 2023 ku brenda pak orëve ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses). Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur në Kodër Kamëz, autori lëvizi në rrugën “Besëlidhja”, Bathore ku ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe. Në vitin 2007, Dan Hutra ishte dënuar pasi ka vrarë me armë ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e goditi dy herë me thikë në zemër e mëlçi.