Ndonëse në arrest shtëpie, Sali Berisha porositë si kryetar i demokratëve, ia kishte dhënë numrit dy të partisë për të mbledhur një prej forumeve drejtuese të kësaj force politike.

Nga mbledhja e Kryesisë, Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka tha se lideri historik i demokratëve është i dënuar politik, një skenar sipas tij i Kryeministrit Rama që shkonte përtej asgjësimit të Sali Berishës.

“Ndaj sot PD dhe demokratët janë në luftë me Edi Ramën. Sali Berisha sot është i burgosur politik i Edi Ramës dhe regjimit të tij. Me këtë vendim kriminal, Edi Rama çeli siparin e instalimit defakto të një neodiktature, me këtë akt ai synon të kthejë monizmin dhe të zhdukë opozitën.”

Në betejë me armikun, sikundër e cilësoi ai Edi Ramën, Flamur Noka kërkoi angazhim maksimal nga demokratët.

“T’i përgjigjemi armikut tonë me mosbindje civile dhe me betejë pa kthim.”

Noka foli për një skenar të gatuar më herët sipas tij nga kryeministri Rama dhe ish-kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, duke i kujtuar të dyve se llogaritë i kanë bërë gabim.

“Ka një dallim mes liderëve dhe kryetarëve. Të dytët shkojnë e vijnë, të parët mbeten.”

Pjesë të skenarit për asgjesimin e opozitës bën edhe SPAK-un, që tha se është vënë në shërbim politik të Kryeministrit.

“SKAP-i Po vazhdon misionin politik si organizatë e strukturuar kriminale për të shuar opozitën.”

Kjo është mbledhja e parë e forumeve drejtuese të Partisë Demokratike pa kryetarin, që pritet të pasohet nga takime të tjera për të konkretizuar hapat që do hidhen për vijimin e aksionit opozitar në parlament dhe në sheshe me qytetarët.