Një ngjarje e rëndë raportohet në mediat greke. Një 33-vjeçar shqiptar u qëllua për vdekje nga kunati i tij 50-vjeçar, po shqiptar. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në Volos. Sipas asaj që shkruajnë mediat fqinje, 50-vjeçari Fatmir Talellari e qëlloi vëllain e bashkëshortes së tij me shotgun, Erjon (Jordanis) Pelivani e më pas u vetëdorëzua në polici.

I pyetur për shkaqet e këtij krimi të rëndë, në polici shqiptari tha se e kishte marrë vendimin për ta vrarë kunatin në mëngjes, pasi vajza e tij 18-vjeçare i kishte rrëfyer se viktima e përdhunonte që prej moshës 9-vjeçare dhe së fundmi, të paktën sipas dëshmisë së shqiptarit në polici, e kishte shantazhuar se do t’i publikonte videot e fotot intime.

Pelivani përshkruhej si një njeri i qetë nga fqinjët e tij sipas asaj që shkruajnë mediat greke që kanë shkuar në banesën ku jetonte i riu .Po sipas asaj që shkruajnë mediat greke, autori i dyshuar i vrasjes la takim me 33-vjeçarin mbrëmjen e së martës në zonën e Agria, me pretekstin se i ishte prishur makina. Kur palët u takuan patën një debat, më pas 50-vjeçari e qëlloi me shotgun kunatin në fytyrë e kraharor.

 “Jam ai që ju telefonova më herët. Vrava një njeri. Vrava burrin që më helmoi fëmijën”, mësohet se u shpreh 50-vjeçari në momentin që iu dorëzua policisë greke.

Mediat sqarojnë se 33-vjeçari nuk ishte daja i vajzës. Gruaja e parë e 50-vjeçarit, mamaja e vajzës 18-vjeçare kishte vdekur vite më parë në një aksident rrugor. Me të, Tulellari kishte edhe dy fëmijë të tjerë. Ai ishte martuar për së dyti me motrën e 33-vjeçarit disa vite më vonë, me të cilën kishte një fëmijë. 

Bashkëshortja ka folur për mediat greke në lidhje me këtë rast të rëndë. Ajo është shprehur se vajza e ka rrëfyer ngjarjen tre ditë më parë. Deri atëherë 18-vjeçarja nuk kishte treguar asgjë për përdhunimet. Ajo ka treguar më tej se i shoqi, Talellari e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se i ka vrarë të vëllanë.

“E mësova 3-4 ditë më parë. Nuk dija asgjë, (Erjon Pelivani) ka mbuluar çdo gjë. Vajza nuk më ka treguar gjë as mua. Ai (Fatmir Tulellari) më mori dhe më tha “kam vrarë vëllain tënd””, ka treguar ajo për mediat greke.