Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj deklaratave që kryedemokrati Lulzim Basha bëri në një konferencë për mediat.

Duke e cilësuar vetëm si deputet të partisë, Bardhi tha se Basha ka prej 21 marsit të vitit 2022 pa shkuar në Kuvend dhe 5 muaj që nuk flet asgjë për realitetin politik në vend.

“Të të bëjë manual sesi bëhet opozita përgjegjësi kyç që e la partinë 12 vjet në opozitë, që shpalli sot të vdekur 60 mijë anëtarë të partisë vetëm se shprehin kundërshtin për të kaluar nga dështimi në dështim, deputeti opozitar që ka nga 21 Mars 2022 që nuk vjen në Kuvend, që ska bërë asnjë kallëzim në prokurori kundër Qeverisë dhe asnjë denoncim ndaj Qeverisë, që ka 5 muaj që vjen vërdall si memec pa thënë asgjë mbi realitetin politik, edhe pse vendi po rrëshket në autoritarizëm, është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht”- shprehet Bardhi.

Ai ironizoi kryetarin e PD, duke thënë se ka përfunduar koha e zgjimit të opozitës me telekomandim dhe se ndryshimi arrihet duke qenë së pari të vërtetë lidhur me realitetin politik ku ndodhet vendi.

“Koha e zgjimit të opozitës me telekomandim ka marrë fund prej kohësh. Opozita është në betejë me regjimin e Edi Ramës dhe beteja është e vetmja formë e përballjes me një regjim. Leksionet boshe mbi opozitën kemi 12 vjet që i dëgjojmë dhe realiteti kur zgjohesh nga ëndrra e gjumit të thellë është që Rama vazhdon të jetë Kryeministër! Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe kjo mund të arrihet vetëm duke qenë më së pari të vërtetë”- shkruan deputeti.