Biznesmenë të këtij sektori dhe përfaqësues të punëtorëve janë mbledhur në Krujë për të diskutuar mbi situatën dhe hapat që do të ndërmarrin në bashkëpunim me sindikatat e punonjësve.
“Protesta kombëtare është kërkuar nga vetë punonjësit pasi po humbasin vendet e punës. Po flasim për sektorin manifakturë të veshjeve e këpucëve që ka mbi 75 mijë të punësuar e që ndodhet në krizën më të keqe. Bizneset kanë mungesë likujditeti dhe pamundësi për të paguar detyrimet që rrjedhin nga aktiviteti i tyre. Kursi i këmbimit e rritja e kostove, si dhe më së shumti indiferenca nga ana e qeverisë për t’u ulur në tryezë për të parë nga afër se si mund të amortizohet kjo humbje e bizneseve. Më kryesorja është impakti social. Në Krujë ku nuk ka aktivitete të tjera ekonomike ku do të shkojnë këta punonjës nëse dalin nga sistemi i punës”, tha sipërmarrësi, Edvin Prençe.
Pasojat e krizës janë ndjerë në këtë fillim viti me mbylljen e vendeve të punës në disa subjekte dhe mosmarrje pagash në kohë për disa të tjera.
“Flasim për një pandemi, vetëm në 48 orët e fundit 1100 vende pune të humbura, kryesisht gra, nëna. Nëse bllokohet ky sektor do kenë problematika që nga banka, transporti, lëndët e para etj”, shtoi ai.
Fasonët tregojnë se po përballen me problematika të shumta, ndërsa kërkojnë mbështetjen e qeverisë si një domosdoshmëri.
“Kam marrë kredi për këtë investim që është bashkëkohor dhe i përshtatet kërkesës së klientit. Ne kërkojmë që shteti të na bëjë bilancin e vitit të kaluar dhe të na shohë të ardhurat e sa mund t’i japim punëtorëve. A mundet ta përballojmë a jo? Po shkojmë drejt mbylljes. Nuk mund ta shtyjmë, veç 3-5 muaj”, tha sipërmarrësi Muharrem Hoçja.
“Është radha e shtetit që si një ortak i mirë që është të na ndihmojë tani që kemi nevojë. Biznesi ka nevojë tani. Përndryshe hajde t’i mbyllim e t’i dërgojmë të gjithë punëtorët në shtëpi. Çmimet që ne i japim porositësve me kostot e larta që përballojmë nuk i pranojnë”, tha një tjetër sipërmarrës.
“Këtë problemin tonë para një viti e pati ekonomia kineze dhe shteti atje subvencionoi pagat e punonjësve pasi kjo do të jepte efekt zinxhir. Jemi detyruar me o ta mbyllim, o të largohemi diku tjetër”, u shpreh një tjetër.
Ky sektor kërkon lehtësira fiskale dhe subvencionim përmes zbatimit të një plani kundër papunësisë dhe varfërisë.