Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në qeveri. Me propozim të kryeministrit Edi Rama, ka dekretuar emërimin e Blendi Gonxhja në krye të ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ervin Mete shkarkohet nga detyra e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe emërohet në detyrën e Ministrit të Financave. Gjithashtu është dekretuar shkarkimi i Elva Margaritit nga detyra e Ministres së Kulturës.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar u propozuan disa ditë më pare nga Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se “lipset të kalohet në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”. Teksa e cilësoi këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, tha ka vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. 

Pas këtyre ndryshimeve Rama vendosi që t’i shtojë kabinetit qeveritar edhe një tjetër ministri. Bëhet fjalë për krijimin e ministrisë së Shtetit për Administratës Publike dhe Antikorrupsionin me në krye Adea Pirdenin e cila aktualisht mban postin e zëvendës ministres së Drejtësisë dhe ka qenë zv. kryenegociatore me Bashkimin Evropian. Edhe kjo e fundit është në pritje të dekretit të Begajt.