Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konsideruar ekonominë shqiptare si një nga performuesit më të fortë në rajon.

Në hyrje të raportit për Shqipërinë, FMN thekson se roli në rritje i turizmit ka shtuar besimin te perspektiva ekonomike e vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar konstaton se “Autoritetet shqiptare e kanë drejtuar me sukses ekonominë përmes goditjeve të njëpasnjëshme, falë politikave të duhura makroekonomike.”

Gjithashtu, vërehet se perspektiva e anatarësimit në BE mund të ofrojë një shtysë shtesë për të adresuar sfidat strukturore afatgjata. Ekonomia vazhdon të zgjerohet me ritme të forta, konstaton më tej FMN, e cila parashikon se për vitin 2023, ekonomia shqiptare do të rritet me 3.3%.

FMN thekson në raport se “dhjetë muajt e parë të vitit 2023 kanë sjellë një pozicion fiskal shumë më të përmirësuar.”

Eksportet e larta të shërbimeve, imnvestimet e huaja direkte dhe remitancat sollën një përmirësim të pozicionit të llogarisë korente dhe mbiçmim të Lekut, vlerëson në dokument organizata ndërkombëtare.

Në parashikimin për perspektivat e rritjes, FMN projekton që “rritja, ndonëse më e moderuar, parashikohet të mbetet e fortë, mbështetur nga kërkesa në shërbime dhe investimet e huaja direkte”.  Sa i përket bilancit të llogarisë korente, FMN vlerëson se është në rrugën e duhur për t’u përmirësuar në vitin 2023, ndikuar nga flukset e forta hyrëse të lidhura me turizmin.

Bordi Drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi konsultimet mbi Artikullin IV me Shqipërinë dhe miratoi raportin e stafit të misionit, pa nevojën e zhvillimit të një mbledhjeje, një praktikë e përshpejtuar që ndodh në rastet kur Bordi vlerëson se nuk janë të domosdoshme diskutimet.