Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi pritet që të merren në pyetje javën në vijim për aferën ‘Partizani’. Seanca e marrjes në pyetje ishte parashikuar ditën e sotme për Malltezin dhe nesër për ish-kryeministrin, por me kërkesë të avokatëve, SPAK pranoi shtyrjen e dy seancave.

Avokatët kishin depozituar në SPAK kërkesën për shtyrje, me argumentin se për shkak të impenjimeve nuk mund të ishin të pranishëm në asnjë prej seancave.

Nga ana tjetër, Apeli i GJKKO ka regjistruar dosjen e avokatëve të Berishës, të cilët kanë përfshirë ankimin e masën e sigurisë arrest shtëpie dhe ankimimin kundër vendimit që rrëzoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja e ish-kryeministrit. 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar regjistroi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim S.B. me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e  Organizuar”. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi”, njofton Apeli GJKKO.

Do të jetë gjyqtarja Ilirjana Olldashi, – gjyqtare e gatshme e Apelit në GJKKO – që do shqyrtojë ankimimin e Berishës. Kjo gjyqtare më 21 nëntor 2023 liroi nga burgu Jamarbër Malltezin, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie”

Nga një investigim i Report Tv rezulton se gjyqtarja është në konflikt interesi me familjen Berisha, pasi në vitin 2015 ka blerë apartament tek kullat e ndërtuara te ish-kompleksi Partizani me një çmim shumë më të lirë se tregu, 65 mijë euro, përllogaritur 712 euro m2. Berisha, i cili prej 30 dhjetorit 2023 ndodhet në arrest shtëpie, ka kërkuar leje për të marrë pjesë në Kuvend. Nga ajo ditë, Berisha ka mbajtur fjalime me mikrofon nga dritarja për disa përfaqësues të paktë në numër, të Rithemelimit, konsideruar kjo shkelje e vendimit të gjykatës sipas të cilit nuk i lejohet komunikimi me persona të tjerë përveç rrethit të ngushtë familjar që ka brenda të njëjtës banesë ku po vuan masën e sigurisë.

credit/Shqiptarja.com