Sot hyn në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, përmes së cilës rikonstatohet që euro është valuta e vetme për të kryet pagesa në vend.
Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do ofrohet një periudhë tranzicioni për qytetarët dhe bizneset serbe që pagesat i kryejnë me valutën e Serbisë, dinarin.
Siç ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk duhet periudhë e gjatë për këtë.
Megjithatë, mëngjesin e sotëm, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për këtë. Duke listuar këto brenga kërkon nga institucionet e Kosovës të sigurojnë një periudhë të gjatë tranzitore, derisa të gjendet një zgjidhje në dialog.
Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave.