Me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” që fshihen pas inceneratorit të Tiranës, e duke drejtuar gishtin dhe ndaj kryebashkiakut të kryeqytett Erion Veliaj, ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Drejtësisë shqiptare, u shfaq për herë të parë publikisht, mbrëmjen e së enjtes, në një intervistë të gjatë në televizionin SyriTV.
Që kur në fillim të korrikut, Parlamentit ju kërkua autorizimi për arrestimin e tij, zoti Ahmetaj, ndodhet jashtë vendit. Ai la të kuptohej se nuk jetonte i fshehur në shtetin ku po qëndron aktualisht e se kishte marrë një status zyrtar nga autoritetet e atij vendi, me gjasë të drejtën e azilit. “Nga 1 Janari jetoj në një shtëpi në pronësi të bashkisë të atij qyteti ku jetoj zyrtarisht”, deklaroi ish zëvendëskryeministri.
Ai mohoi të ishte arratisur për t’i shpëtuar arrestimit. “Nuk jam arratisur. As më ka lejuar njeri të largohem dhe as më ka ndihmuar njeri. Në momentin që kam mësuar se kërkohej imuniteti im, ka qenë data 8 ose 9 korrik, kam qenë jashtë Shqipërisë për pushime. Refuzova të kthehesha se e gjitha ishte orientuar me frymëzim politik” tha zoti Ahmetaj. Në fakt, Parlamenti bëri publik mbërritjen e kërkesës së Prokurorisë për autorizim për arrestimin e tij të hënën e 10 korrikut. Ndërsa shkresa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme daton më 7 korrik, ditën që zoti Ahmetaj, kaloi përmes kufirit tokësor në Greqi. Ndërsa më 14 korrik, avokatët e tij do të deklaronin se ai ndodhej në Angli “pranë familjes së tij” dhe se do të kthehej “kur të ketë liri”.
Me jetëgjatësinë më të madhe në kabinetet e kryeministrit Rama që prej mandatit të tij të parë në vitin 2013, duke mbuluar poste të rëndësishme, zoti Ahmetaj tregoi se thyerja në raportet mes tyre e kishte zanafillën me herët se korriku i vitit 2022, kur ai u shkarkua nga detyra e numrit 2 të qeverisë. Ai nuk dha ndonjë shpjegim se përse kishin ndryshuar marrëdhëniet mes tyre. Sipas tij, në shkurt të atij viti, ai vetë i kishte kërkuar zotit Rama që të largohej pasi “marrëdhënia e besimit mes nesh ishte përmbysur”, porse se kjo kërkesë e tij nuk ishte pranuar.
Largimi i beftë nga qeveria, u pasua disa javë më vonë dhe me zhveshjen e tij nga postet në partinë socialiste., në një mbledhje të kryesisë që sipas tij ishte shoqëruar me tonë kërcënuese nga zoti Rama. Të gjitha lëvizje, të pasuara, siç u shpreh, dhe nga sulme mediatike të urdhëruara nga kryeministri, tha ai. Qëllimi sipas tij ishte “nxjerrja në pritë nga ish drejtuesi im politik” dhe se më pas prokurorët kishin nxituar që t’i dëshmonin kreut të qeverisë se “na e nxorre në pritë, dhe ne e vramë”.
Në mars të vitit të shkuar, u mësua se Prokuroria e Posaçme e kishte vënë nën hetim për të paktën 4 vepra penale nga “shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”. Ndërsa në dosjen dërguar në parlament ngriheshin dyshime për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncensioneve. Po ashtu prokuroria vinte në dukje transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, e pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një mori aktesh të ndërmarra në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier ishin provat që Prokuroria e Posaçme tha se kishte kundër tij.
Zoti Ahmetaj këmbënguli dhe gjatë intervistës se nuk ishte përfshirë në procedurat e inceneratorëve e se madje ai kishte kundërshtuar që në rastin e Tiranës, projekti të financohej nga buxheti i shtetit. Varianti i ofruar prej tij, ishte se kryeministrit Rama i duhej pikërisht një person i tillë “për t’i vënë tapën dosjes” së inceneratorit të Tiranës, projekt në të cilin, sipas tij, “është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit”. Zoti Ahmetaj shkoi më tej kur deklaroi se “po qe se do të bëhet një hetim i vërtetë inceneratorit të Tiranës, shqiptarët do llahtarisen se deri ku do të shkojë, por SPAK nuk e bën. Po të hetohet Tirana, shqiptarët do llahtarisen, do të shkojë shumë lart”. Ndërsa pjesë të sulmeve ndaj tij ai bëri dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, zoti Ahmetaj tha se disa prej veprimeve të këtij të fundit “janë ato të një pronari faktik” të inceneratorit.
Ish zëvendëskryeministri e konsideroi biznesmenin Mirel Mërtiri “viktimë në raport me inceneratorin e Tiranës. Ai nuk është më pronari, ia kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ja marrë biznesin”, deklaroi ai duke ju referuar disa ndryshimeve në pronësinë e shoqerisë Integrated Energy e cila mori të drejtën e ndërtimit të inceneratorit. Në maj të vitit 2022, 40 përqind të aksioneve i kaluan dy shtetasve francez me mbiemër të njejtë, Abitbol, të cilët rezultojnë të lidhur me kompaninë e fundit që mori në administrim, shoqerinë shqiptare të naftës Armo, përpara falimentimit përfundimtar të saj.
Për herë të parë zoti Ahmetaj pranoi publikisht të ketë patur një miqësi të hershme me Mërtirin. Gjatë deklarimeve në Komisionin hetimor parlamentar për çështjen e inceneratorëve, ai i kishte bërë bisht pyetjes mbi njohjen e tij me sipërmarrësin, ndërsa vitin e kaluar në një intervistë për emisionin Opinion në TvKlan, ai kishte deklaruar se “Mirel Mërtirin e kam njohur sipërfaqësisht në 2004-2005. Në 2012 u ritakuam rastësisht te Blloku”. Ndërsa në intervistën e mbrëmjes, të enjten, ai u shpreh se “Mirelin po, e kam patur shok, dhe historia mes meje dhe tij është histori e vërtetësisë se si ndahet miqësia nga interesi publik”, duke ju referuar sërish faktit se ai e ishte kundërshtuar projektin e financimit të inceneratorit të Tiranës.
Po ashtu, zoti Ahmetaj, ofroi një shpjegim të kundërt, me sa kishte bërë më parë, mbi dyshimet se sipërmarrësit e inceneratorëve kishin financuar qëndrimet e tij disa herë nëpër hotele të shtrenjta jashtë vendit. Ndërsa në mars të vitit të shkuar kishte folur për “spekulime të pastra” mbi këtë çështje, dhe se nuk kishte qëndruar në hotelet e përmendura në dokumentat e gjetura në kompjuterin e Klodian Zotos, ortakut të Mërtirit, këtë herë ai pranoi se kishte qenë ky i fundit që i kishte bërë pagesat me kartë, por se ja kishte dhënë më pas paratë në cash, pasi nuk kishte dashur që të shfaqej emri i tij për çështje personale
./VOA/