Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën mbrëmjen e së premtes vonë, 2 shkurt 2024, një valë sulmesh ajrore ndaj objektivave të grupeve paraushtarake në Siri dhe Irak. Një kundërpërgjigje ndaj sulmit me dron që vrau një javë më parë, më 28 janar tre ushtarakë amerikanë dhe plagosi dhjetra të tjerë në Jordani.
Ushtria amerikane njoftoi sulmet ajrore në Siri dhe Irak goditën më shumë se 85 objektiva të Gardës Revolucionare iraniane dhe aleatëve të tyre. U goditën qendrat e komandës dhe kontrollit, qendrat e zbulimit, depot e raketave dhe dronëve dhe objekte të tjera logjistike në shtatë lokacione – katër në Siri dhe tre në Irak.
Komanda Qendrore amerikane njoftoi se janë përdorur mbi 125 raketa të precizionit të lartë, të cilat u lëshuan, brenda 30 minutave, nga disa avionë, përfshirë avionët bombardues me rreze të gjatë dhe bombarduesit supersonik B-1.
Avionët me dhe pa pilotë që godasin me rreze të gjatë veprimi u ngritën nga bazat amerikane dhe goditjen e objektivave e kryen pa asnjë ndalesë. Zyrtarët amerikanë besojnë se sulmet ishin të suksesshme
Shtetet e Bashkuara fajësuan për sulmin e 28 janarit ku mbetën të vrarë ushtarët amerikanë rezistencën Islamike në Irak, një koalicion i milicive të mbështetur nga Irani. Ndërkohë trupat e pajetë të ushtarëve u kthyen po sot në Shtetet e Bashkuara dhe u pritën me një ceremoni solemne në bazën ajrore Dover, në Dellauer ku ishte i pranishëm dhe presidenti Biden. Pak orë më pas u mësua filimi i sulmit.
Presidenti Joe Biden tha se kundërshtarët duhet t’i kushtojnë vëmendje paralajmërimeve të SHBA-së, ndërsa sekretari i tij i mbrojtjes u zotua: “Ky është fillimi i përgjigjes sonë”.
Sulmet amerikane nuk goditën drejtpërsëdrejti Iranin apo drejtuesit e lartë të Gardës Revolucionare të gjendur brenda territorit të Iranit, që ka mohuar të ketë patur rol në sulmin në Jordani. SHBA po kërkon të pengojë sulmet e mëtejshme ndaj trupave të saj duke shmangur një konflikt në shkallë të gjerë me Iranin në një rajon tashmë të tronditur nga lufta Izrael-Hamas.
Ndërkohë në Rripin e Gazës, një marrëveshje e re e mundshme për lirimin e 132 izraelitëve që po vazhdojnë të mbahen peng nga Hamasi në Gazë për gati katër muaj, me shumë gjasë do ta detyronte Izraelin t’i jepte fund luftës pa shkatërrimin e grupit militant. Por Kryeministri Netanyahu flet me bindje se kjo nuk do të ndodhë.